Në një intervistë për Radio Televizioni e Kosovës (RTK), presidenti Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës do të vendosin për të ardhmen e këtij dialogu me aprovimin ose mosaprovimin e marrëveshjes për pajtimin me Serbinë.
Ai ka theksuar se nëse qytetarët e aprovojnë këtë marrëveshje i cili ka obligim ligjor ndërkombëtar për t’u implementuar, Kosova do të vazhdojë rrugën e saj drejt perspektivës evropiane. Thaçi tha se qytetarët e Kosovës mbështesin anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave me BE-në, duke theksuar se Kosova duhet të lëvizë sa më shpejtë për t’u bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Thaçi tha se dialogu me Serbinë ka ndryshuar edhe situatën në pjesën në veri të Kosovës, duke përmendur doganierët në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve.
Duke folur për vijat e kuqe shtetërore, Thaçi theksoi se sovraniteti i shtetit të Kosovës është i padiskutueshëm. Ai më tutje tha se me arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të arrihet një jetë dhe një standard i ri për brezat e ardhshëm që do të ketë reflektim në tërë rajonin.
Presidenti i Kosovës tha se gjatë implementimit të kësaj marrëveshjeje do të ketë ndryshime kushtetuese e ligjore por shtoi se Serbia fillimisht duhet t’i heqë të gjitha pengesat në kushtetutën e saj të cilat janë pengesa për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Kosova ka përmbushur 94 kriteret për liberalizimin e vizave nga 95 që janë gjithsej duke theksuar se kriteri i demarkacionit është futur në momentin e fundit.
“Futja e çështjes së demarkacionit dhe shtyrja e liberalizimit të vizitave, është padrejtësi shekullore që u është bërë qytetarëve të Kosovës, duke i trajtuar si qytetarë të rendit të dytë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai tha se pret që “të punojmë bashkarisht me gjithë spektrin shtetëror” për të gjetur konsensus duke theksuar se kjo nuk është një çështje e lehtë.