Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ka zhvilluar takim me Robert O’Brien, këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit amerikan Donald Trump.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kishte një bisedë të mrekullueshme me Robert O’Brien.

“Një bisedë të mrekullueshme sot kisha edhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien. Ne konfirmuam edhe një herë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në arritjen e një marrëveshjeje finale të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe lidhjen speciale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”, ka shkruar Thaçi, përcjell Telegrafi.

Robert O’Brien ishte pjesëmarrës në nënshkrimin e ujdisë për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, e cila u arrit të hënën në Ambasadën Amerikane në Gjermani.

Gjatë ditës Thaçi ka takuar edhe Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Kroacisë si dhe partneritetin strategjik.