Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka thënë se në takimin e sotëm që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë diskutuar për domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut mes dy shteteve.

“Në takimin e udhëhequr nga Mogherini, që zhvilluam me presidentin e Serbisë, Vuciq, u fokusuam në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, që do të qonte drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi të shteteve tona”, ka thënë Thaçi nga Brukseli në një intervistë për RTK-në transmeton zeri.info.

“Ishte konkludim i përbashkët që vetëm pajtimi dhe normailizmi mes vendeve tona, paraqet më tepër paqe dhe stabilitet për rajonin dhe për vetet shtetet tona. Ne i dhamë besimin e plotë për zonjën Mogherini për të ndërjmjetësim të këtij dialogu. Jemi dakorduar që ky proces të jetë sa më shpejt i arritshëm dhe i implementueshëm. Dua të besoj se ky proces nuk do të jetë garë se kush kë do ta mund por proces i standardeve dhe vlerave i të dy vendeve dhe popujve tanë. E këto vlera, janë ato evropiane”, ka shtuar më tej presidenti Thaci.

Ai foli edhe për liberalizimin e vizave.

“Zonja Mogherini e ka lehtësuar dhe e ka udhëhequr takimin. Ne potencuam për mbylljen e procesit të izolimit të padrejtë që i bëhet Kosovës dhe nevojën që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën”, ka thënë ai.

Më tutje, presidenti Thaçi ka thënë se kjo fazë e re e dialogut kërkon edhe unitet politik në vend.

“Ky ka qenë takimi i parë për këtë fazë të re të dialogut për normalizim dhe pajtim mes popujve tanë. Është vetëm faza e parë preliminare. Unë kam besim të plotë se institucionet e Kosovës, mediat, ekipet e ekspertëve, do të japin kontributin e çmuar për këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Fqinjësia e mirë dhe pajtimi tregon se pavarësia e Kosovës ka paraqitur për rajonin më shumë paqe she stabilitet. Unë i ftoj të gjithë spektrin politik kosovar që të reflektojnë mbi interesat partiake dhe personale dhe të mendojnë për interesat shtetërore”, ka thënë ai. Në fund, ai ka thënë se ideale do të ishte që dialogu me Serbinë të përfundonte këtë vit, mirëpo kjo nuk është e sigurt./Zeri/