Në ditën e zjarrfikësve, protagonistët kryesor për shuarjen e zjarreve kujtojnë se punojnë me kuadër të përgjysmuar krahasuar me numrin e banorëve në Shkup. Gjithashtu, vështirësi shtesë shkakton mungesa e pajisjeve të reja pavarësisht se kohën e fundi janë ripërtëritur disa prej tyre. Gjithashtu, Xvonko Tomeski, komandant i zjarrfikësve tha se problem në vete është edhe procedura burokratike për punësimin e stafit në fjalë.

“Është atraktive por fatkeqësish për shkak të mos realizimit të plot të decentralizimit fiskal, pagat tona sigurohen nga pushteti qendror dhe çdo punësim i ri varet nga mjetet e siguruara në buxhetin qendror që nuk ndodh shpesh, prandaj vazhdimisht jemi me mungesë stafi në të gjitha njësitë e zjarrfikësve. Në çdo 1500 banorë duhet të kemi nga një zjarrfikës, Sipas të dhënave nga regjistrimi ne duhet të kemi diku 400 zjarrfikës ndërsa ne jemi në gjysmë, kundrejt numrit të nevojshëm”, tha Zvonko Tomeski, zjarrfikës.

Bllagoja Peshevski është ndër zjarrfikësit që paralajmëroi pensionimin e tij. Tha se ndjehet i mërzitur që njohuritë nga përvoja e tij 35 vjeçare nuk mund t’ua përcjell gjeneratave të reja. Pavarësisht vështirësive që ka përjetuar ai tha se ky profesion të plotëson kur përfundimi i intervenimit është me shpëtim jetësh.

“Mund ta kisha vazhduar punën por t’ju them sinqerisht e ndjej se nuk mundem më, ka të bëj me kondicionin e shëndetin. Që dikush të bëhet zjarrfikës fillimisht duhet ta dojë këtë profesion, parasë gjithash është humanizëm. Ka stres, mirëpo mua më plotëson ajo që arrij të shpëtoj jetën e dikujt”, u shpreh Bllagoja Peshevski, zjarrfikës.

Nga fillimi i vitit, njësia e zjarrfikësve ose ndryshe të quajtur “Heronjtë e Qytetit” kanë kryer 390 intervenime në shuarje zjarri, pjesa më e madhe në mjedisin urban dhe 50 intervenime teknike. /Alsat.mk