GAZETA LAJM U SJELL EKSKLUZIVISHT LETRËN E HAPUR TË INTELEKTUALËVE SHQIPTARË, QË JETOJNË DHE VEPROJNË NË BELGJIKË. AHMET GJANAJ, ARBEN FETAI DHE LIRIDON LIKA KONSIDEROJNË SE FAKTORI POLITIK SHQIPTAR DUHET TË EMANCIPOHET PËRFUNDIMISHT NGA PARTITË POLITIKE MAQEDONASE, DUKE LËNË ANASH INTERESAT KLANORE DHE INDIVIDUALE.

Ahmet Gjanaj është Deputet në Parlamentin e Rajonit të Brukselit.

Arben Fetai është magjistër i shkencave politike (marrëdhënie ndërkombëtare) dhe i studimeve evropiane. Ai punon si lobist në fushën e çështjeve evropiane dhe të zhvillimit ndërkombëtar.

Liridon Lika është hulumtues dhe ligjërues në Universitetin e Liezhës, ku është duke ndjekur studimet e doktorraturës në shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare.

Prej kohësh Maqedonia gjendet në udhëkryq. Ngecja e saj po cënon rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve.

Të rikujtojmë se negociatat ndërmjet Bashkimit europian (BE) dhe Maqedonisë filluan në mars të vitit 2000 dhe më 9 prill 2001, palët nënshkruan marrëveshjen e stabilizim-asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi më 1 prill 2004, pas ratifikimit të saj nga BE-së dhe nga Parlamenti i Maqedonisë. Maqedonia ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor i cili kishte arritur një marrëveshje të tillë, e cila i hapte rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe e bënte kështu shembull për t’u ndjekur nga vendet fqinjë.

Në këtë periudhë, ashtu sikurse Maqedonia, edhe Kroacia kishte filluar përpjekjet e saj për anëtarësim në mekanizmat euro-atlantikë.

Mirëpo, ndërsa Kroacia arriti me shumë përkushtim që të përmbushë kriteret e përcaktuara dhe të anëtarësohet në NATO më 2009 dhe në BE më 2013, Maqedonia mori statusin e vendit kandidat por nuk bëri asnjë progres tjetër në drejtim të anëtarësimit. Përkundrazi, ajo mbeti shumë mbrapa dhe u shndërrua në nxënësin e keq të anëtarësimit euro-atlantik. Prandaj, rruga e Maqedonisë krahasuar me atë të Kroacisë ishte një dështim i plotë për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të tij.

Maqedonia, veçanërisht pas ardhjes në pushtet të ish-kryeministrit sllavo-maqedonas, Nikolla Gruevski, u bë një nga vendet me probleme më të theksuara të demokratizimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Siç dihet, Gruevski, nacionalist i tërbuar, ngriti një regjim autokratik dhe u përafrua me vendet sllave si Serbia dhe Rusia, në dëm të shqiptarëve.

Për më tepër, gjatë tërë periudhës së qeverisjes së Gruevskit, regjimi i tij shtypës lëre se nuk zbatoi, por shkeli rëndë Marrëveshjen e Ohrit (2001), marrëveshje kjo e cila edhe ashtu siç ishte në letër nuk kënaqte pritjet e shqiptarëve për një barazi të plotë me sllavo-maqedonasit. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë vazhduan të jenë të diskriminuar në të gjitha fushat, pa përjashtim.

Kërkesat themelore të shqiptarëve, siç është zyrtarizimi dhe zbatimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore nuk u arritën. Partitë shqiptare që ishin deri dje pjesëmarrëse në qeverinë Gruevski jo vetëm që nuk realizuan premtimet e tyre, por ato në njëfarë mënyre edhe legjitimuan regjimin e instaluar nga diktatori i vogël i Ballkanit.

Ndikimi politik mbi sistemin gjyqësor gjatë qeverisjes së Gruevskit bëri që shumë qytetarë të pafajshëm shqiptarë të dënoheshin me burgim të rëndë dhe që të instalohej kështu një diskriminim i tmerrshëm ndaj shqiptarëve autoktonë në Maqedoni.

Qeveria Gruevski ka prodhuar vrasjet, brugosjet dhe proceset e montuara politike ndaj shqiptarëve siç ishin rastet Sopoti, Monstra dhe Kumanova, të cilat ende sot nuk po gjejnë epilogun e drejtë edhe pas rrëzimit përfundimtar të VMRO-së.

Regjimi i Gruevskit pati rezultuar me një kapje të paprecedent të hallkave të shtetit bazuar në autoritarizëm, korrupsion, mashtrim zgjedhor dhe kontroll politik mbi gjyqësorin, mediat dhe sektorin privat, duke ngulfatur çdo shpresë të integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO, si dhe duke detyruar qytetarët, kryesisht shqiptarë, që të ikin masivisht drejt shteteve të BE-së në kërkim të një jete më të mirë.

Fatmirësisht për shqiptarët, Gruevski nuk është më në pushtet.

Megjithatë, shqiptarët duhet të tregohen të kujdesshëm edhe nga premtimet e mëdha zgjedhore të Zoran Zaevit dhe nga manipulimet e radhës në dëm të tyre që po ndodhin në kuadër të zgjedheve lokale. Në këtë kontekst, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale të 29 tetorit merr një rëndësi jetike për shqiptarët e Maqedonisë.

Në kuadër të përpjekjeve të tyre për të futur nën kontroll edhe komunat e banuara me shumicë shqiptare, partitë sllavo-maqedone, nuk po kursejnë asnjë mjet për të krijuar huti në opinionin shqiptar dhe për të manipuluar ndjenjat nacionaliste tek elektorati sllavo-maqedonas.

“Dilni dhe dënoni këtë monstër” ishtë thirrja në gjuhën maqedonase nën fotografinë e Ziadin Selës në një fletushkë të shpërndarë në mënyrë anonime në qytetin e Strugës. “Koalicioni i partive shqiptare mbron VMRO-në” ishte në esencë deklarata e Ministrit të brendshëm social-demokrat maqedonas, Oliver Spasovski në studion e televizionit Alsat para ca ditëve.

Shpifjet e tilla ndaj figurave shqiptare po bëhen me qëllime të caktuara.

Në anën tjetër edhe Zaevi ka interes që të diskreditojë bashkimin e votës shqiptare duke ditur se një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar është totalisht i zhgënjyer nga partitë shqiptare deri tani në pushtet. Kështu që Zaevi mbanë shpresa që këtë elektorat të zhgënjyer ta kthej në anën e tij.

Për të gjitha këto arsye, ne apelojmë që shqiptarët të mos bien pre e manipulimeve të partive sllavo-maqedonase, pa përjashtim.

Ne u bëjmë thirrje bashkombasëve tonë nga Struga e deri në Likovë, që më 29 tetor, të pandikuar, të pashantazhuar dhe të pafrikësuar të japin votën aty ku mendojnë se është më mirë për të ardhmen e tyre.

Për të siguruar avancimin e pozicionit të shqiptarëve si komb shtetformues në Maqedoni, faktori politik shqiptar duhet të emancipohet përfundimisht nga partitë politike maqedonase, duke lënë anash interesat klanore dhe individuale.

Bashkimi i votës shqiptare në nivelin komunal është hapi i parë në këtë drejtim.

Prandaj, u bëjmë thirrje bashkombasëve tonë që të mos japin as edhe një votë të vetme për partitë sllavo-maqedonase, por që të përkrahin vetëm partitë shqiptare të papërfshira në degradimin e dinjitetit kombëtar shqiptar. Pra, me fjalë të tjera, asnjë votë shqiptare tek partitë politike sllavo-maqedone, por as tek partitë e tjera, cilat do qofshin ato, që punojnë kundër interesave kombëtare të shqiptarëve!

Alternativa e vetme e shqiptarëve të Maqedonisë dhe e kombit shqiptar në përgjithësi mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO. Orientimi perëndimor i shqiptarëve është e vetmja rrugë e cila do të mbrojë dhe do të avancojë interesat kombëtare të kombit tonë./GazetaLajm/