Enes Ibrahim, deputet dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë për Lëvizjen e Turqve – THP thotë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk i ka përmbushur pritjet e turqve në vend.

“Në prag të 16 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e dobishme është që të arrihet një rishikim i shkurtër i periudhës së kaluar nga pikëpamja e komunitetit turk në Maqedoni. Për fat të keq në 16 vitet e fundit, Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ka qenë në shërbim të turqve në Maqedoni. Për të kapërcyer këtë problem unë mendoj se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse. Qeveria e re është shpresa e fundit e komunitetit turk dhe besoj se me reformat e paralajmëruara turqit do të fitojnë vendin e merituar dhe të dëshiruar në shoqëri.”, ka thënë Ibrahim nga partia THP.

Ai beson se deri më tani, kjo marrëveshje ka shërbyer si një mjet i pazareve politike, prandaj nuk ishte produktiv për të gjitha komunitetet etnike.

“Duke e lënë mënjanë këtë praktikë, besoj se Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të bashkojë të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoni, me çka më në fund ata do të ndjehen si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë. Qeveria e re që nga fillimi tashmë ka treguar një dëshirë për të kapërcyer qëndrimet diskriminues të strukturës së mëparshme qeverisëse dhe kjo më jep shpresë që ne jemi duke ecur drejt rrugës së të drejtës,”, ka thënë Ibrahim.