Në orët e pasdites, tre persona kanë rrahur një pjesëtar të Policisë së Kosovës në Pejë, duke e goditur me mjete të forta në kokë.

Drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Veton Elshani, duke e ka konfirmuar rastin, ka thënë se polici i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në emergjencë në Spitalin e Pejës.

Të dyshuarit pas sulmit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 16:15 minuta në Rrugën ‘Eliot Engel’ afër Fakultetit të Biznesit. Policia është njoftuar për incidentin. Është lënduar një person, pjesëtar i policisë sonë”, ka deklaruar Elshani për Radio 1.

Elshani tutje ka thënë se të dyshuarit e kanë goditur viktimën në kokë me mjete të forta .

“Të gjitha njësitet relevante i janë përgjigjur vendit të ngjarjes. Viktima është dërguar me emergjencë në Spitalin Rajonal të Pejës. Të dyshimtit janë në arrati dhe i kemi në kërkim”, tha Elshani.