ABDULLA MEHMETI

Deklarata e liderit të Aleancës për Shqiptarët për mundësinë e krijimit të Lidhjes së komunave shqiptare në Maqedoni, është shkaku kryesor për vënien në siklet të qeverisë aktuale të këtij shteti, e cila gabimisht dhe pa të drejtë është kyçur në fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, më 29 tetor 2017, edhe atë, në krahun e kandidatëve të partisë e cila ka qenë partner kyç në pushtetin e mëparshëm diktatorial dhe kriminal, së bashku me VMRO-DPMNE. Kundër atij pushteti që edhe LSDM ka luftuar disa vite me radhë.

LSDM erdhi në pushtet, përmes një vije tejet të hollë të fitores në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, kryesisht me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe përkrahjen e forcave të reja politike shqiptare, jo sa për ta instaluar këtë parti në pushtet, por për fillimin e reformave të domosdoshme në shtet, integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, zgjidhjen e problemeve me shtetet fqinje, luftimin e korrupsionit dhe krimit në organet e pushtetit (ndërsa kandidatët që mbështet dhe promovon qeveria aktuale, në mos koka e krimit ndër shqiptarët, janë pjesë e tij), dhe sidomos avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, me këtë edhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes pushtetit dhe shqiptarëve, të pazgjidhura deri më tani, as përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe as me ndryshimet kozmetike të Kushtetutës, të vitit 2001.

Deklarata gjatë fushatës zgjedhore për mundësinë e krijimit të Lidhjes së komunave shqiptare, e cila garantohet edhe me ligjet aktuale të këtij shteti, sidomos me Ligjin për bashkëpunimin mes komunave (,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 79/2009), por ky është vetëm një shkas që e ka ,,traumatizuar” qeverinë aktuale të Maqedonisë, ndërsa shkaku kryesor është pengesa që i vënë përpara forcat progresive të shqiptarëve ,,konceptit qytetar” të shtetit, të cilin e promovon LSDM, para se qeveria që e drejton kjo parti t’i kryej detyrat e saj kryesore dhe obligimet e marra para se të vijë në pushtet, me këtë edhe ndryshimin e Kushtetutës, e cila është katalizatori kryesor i krizës në Maqedoni, përderisa shqiptarëve u përcakton statusin e pakicës kombëtare, jo të popullit shtetformues, siç edhe janë realisht, si popull autokton dhe shumicë e konsiderueshme në këtë shtet.

(22.10.2017)