Shkruan Blerina Demiri

Durrësi vazhdon të goditet nga tërmetet, jo vetëm natyrore por edhe ato njerëzore.

Me pamje të shkatërruar e në zi për humbjen e aq shumë jetë njerëzish, i duheshte të shkelet edhe nga këmba e atij që bukfalisht ec mbi të gjallë e të vdekur me qëllimin e ndërtimit të ” Ballkanit Perëndimor”
Kryeministra të nderuar, dhe në veçanti Edi, ndërtohet Ballkani Perëndimor mbi dërrasë të kalbur?

Ç’sjell natyra është e paparashikueshme, por ama tërmeti politik po ndërtohet nga vet ju hap pas hapi njëjtë si ato blloqet e ndërtimeve pa leje dhe shtëpive të pabanueshme që morën 51 jetë njerëzish.

S’do mend që vizioni i çdo udhëheqësi duhet të ketë karakter progresiv me synim paqen dhe stabilitetin për të tashmen dhe të ardhmen. Nga ana tjetër duhet kuptuar njëherë e mirë se çdo kundërshtim i takimit të “treshes” nuk vjen nga urrejtja apo dëshira për t’u kthyer mbrapa por nga absurditeti dhe mjegullimi i arsyes së vet takimit.

Tërë ditën fushatë “Tinukdojeshkurrëvetëm” e tërë natën takime me ata që bijtë e bijat e nënës Shqipëri t’i lanë vetëm, pa strehë e jetimë…

Tërë ditën filmuar duke zgjatur dorën atyre që tërmeti i la në rrugë e tërë natën nikoqir i atyre që nuk ta njohin ekzistencën e njërit krahë… sepse mosnjohja e një populli/shteti është më keq se vet shfarrosja.

Tani ma thoni ju, ngrihet “Ballkani Perëndimor” i copëzuar e mbi mendime të tilla?

Shikuar historitë botërore, kuptojmë se shumë shtete dikur në luftë e në gjak, sot gëzojnë ura të bashkëpunimit ekonomik, kulturor e politik, gjithmonë mbi baza të kërkim-faljes, pranimit të fajit dhe kompensimit të dëmeve të shkatërruara.

Shteti serb me në krye Vuçiq vazhdon t’i qëndrojë besnik misionit të paskrupullt të Millosheviqit, me ose pa akte konkrete dhe nëna Shqipëri i ngre dolli kësaj besnikëri, mu në mes te Durrësit, sepse Vuçiq “nukdojetëkurrëvetëm”.

Parë më nga afër kjo “treshe” që tenton të formojë “Mini Shengenin e Ballkanit” në kufijtë e brendshëm të shteteve përkatëse akoma përballet me luftën për mbijetesë, ndërkaq kamuflojnë të keqen me dreka e darka duke kapërcyer vetveten.

Tani kur Vuçiq pritet nga kryeministri i Shqipërisë, vështron më nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe e gjitha kjo kalon me qetësi të plotë sjell mbi sipërfaqe dy përfundime hipotetike: o shqiptarët duan me çdo kusht të harrojnë të kaluarën dhe të shohin vetëm përpara (në mënyrë të paarsyeshme), o i ka kapluar një apati e rëndë politike, sociale saqë kanë hequr dorë nga çdo protestë me idenë e pamundësisë së ndryshimit.

Nëse vet termi Ballkan, përfaqëson shtetet ballkanike në mesin e të cilëve hyn edhe Kosova, me ç’mend “treshja e darkës së Durrësit” flet për formimin e “Mini Shengenit Ballkanik” kornizat e së cilës vazhdojnë ta adresojnë Kosovën “pjesë së Serbisë”?

Vetëm se, kur ky “Mini Shengen” që ka për bazë mohimin e historisë t’ju bjerë mbi kokë, mos pritni që vëllezërit kosovarë bashke me qentë e tyre t’ju nxjerrin nga rrënojat!