Mungesa e selisë partiake, jo transparenca në caktimin e kandidatëve për këshilltarë nëpër kafene, mungesa e kuorumeve nëpër këshillat vendor si dhe zgjedhja e shtabit zgjedhor nga një grupacion i ngushtë ka qenë sot shqetësimi i shprehur nga një grup i anëtarëve të kryesisë së BDI-së në Kumanovë, ku i pranishëm ishte edhe njëri nga themeluesit e kësaj partie, Nazmi Beqiri. Beqiri theksoi se i është përgjigjur ftesës së këshillit të organizuar për transparencë dhe konsolidim në BDI-në e Kumanovës. Ftesës i është përgjigjur dhe e ka përkrahur edhe anëtari i kryesisë qendrore të BDI-së, Ilir Hasani.

Anëtarët e grupit të të pakënaqurve ku bëjnë pjesë anëtarë të kryesisë, këshillave vendore dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kërkuar ndërhyrjen e instancave të larta dhe kryesisht kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për të zgjidhur situatën. Kërkohet që të formohet këshill koordinues dhe gjitha organet legale të vendosin përmes statutit për zgjedhjen e kandidatëve për këshilltarë  dhe organizimit të shtabit zgjedhor. Ata akuzojnë se edhe shefi i shtabit Ilir Saiti është zgjedhur në mënyrë jo të rregullt, ndërsa në një proces jostatutor është caktuar edhe bartësi i listës për këshilltarë. (INA)