Alarmi e tronditi përsëri Bayern Munich sot. Robert Lewandowski është dashur të tërhiqet nga trajnimi, të enjten, kur sapo kishin kaluar 40 minuta nga seanca e drejtuar prej trajnerit Ancelotti, sepse pati një të therur në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.

Lëndimi në këtë vend ndodh vetëm dy ditë para ndeshjes, që ekipi bavarez do të luajë kundër Borussia Dortmundit dhe gjashtë ditë para çerekfinales së parë të Ligës së Kampionëve, kundër Real Madridit. “Lewa” e ka lënë fushën e trajnimit i brengosur pas një bisede të shkurtër me Carlo Ancelottin.

Klubi i Bayern Munich ka nxituar për të shuar alarmin, duke komunikuar se asgjë serioze nuk ka sulmuesi polak, ndërsa të premten do të stërvitet me grupin.Sidoqoftë, fakt është se ai doli me dhëmbët shtrënguar dhe duke vënë dorën në kofshën që i dhimbte, nga seanca stërvitore.

Bavarezët, gjithashtu, janë të preokupuar me situatën e portierit Neuer, që ditët e fundit ka operuar këmbën e majtë dhe kërkohet të rikuperohet shpejt, për të qenë gati për supersfidën kundër Real Madridit. Edhe Thomas Müller ka njëfarë tronditjeje.

Douglas Costa, njëherazi, vuan nga problemet në gju. Lëndimi dhe mungesa e Lewandowskit do të ishte veçanërisht e ndjeshme për Bayern Munich, për shkak se këtë sezon polaku ka shënuar 36 gola.