Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka debutuar me humbje në garat zyrtare të FIFA-s, por ka lënë mbresa me paraqitjen e saj. Vashat e drejtuara nga Afërdita Fazlija kanë luajtur sot kundër Shqipërisë në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë të Grupit B në kuadër të paraeliminatoreve për Botërorin “Francë 2019” dhe kanë pësuar humbje me rezultat 3:2, ndonëse me lojën e shfaqur e kanë merituar së paku një pikë. Të parat në epërsi kaluan futbollistet e Shqipërisë, me golin e shënuar nga Arbiona Bajraktari me gjuajtje me kokë, në minutën e 17-të. Kosova barazoi në minutën e 35-të, kur Agnesa Rexha shfrytëzoi një pakujdesi të portieres Marigona Zani dhe ia rrëmbeu me kokë topin nga duart për ta dërguar më pas në rrjetë. Vashat e Kosovës vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë dhe në minutën e 59-të kaluan në epërsi kur Agnesa Rexha shënoi gol të bukur me kokë pas harkimit të shkëlqyeshëm të Edona Kryeziut. Pas këtij goli futbollistet e Shqipërisë u vërsulën me të gjitha forcat në sulm në kërkim të golit të barazimit, por hasën në mbrojtje të ngjeshur të vashave të Kosovës. Megjithatë, në minutën e 75-të, Fortuna Velaj shënoi nga gjuajtja e lirë duke barazuar shifrat në 2:2. Ndërkohë, kur pritej përfundimi i ndeshjes, në minutën e 5-të shtesë Blerina Musa në përpjekje për ta dëbuar një top me kokë nga zona e ka dërguar atë në rrjetën e portës së vet, duke ia mundësuar fitoren Shqipërisë, me rezultat 3:2. Do theksuar se një periudhë në pjesën e dytë u zhvillua nën rrebeshin e shiut.

 Shqipëria – Kosova 3:2

Stadiumi: Elbasan Arena

Shikues: 3000

Gjyqtare: L. Clark, V/ M. Allan, S. Masey dhe A. Rayner.

Shënuese: A. Bajraktari (17’), Fortuna Velaj (75’), Musa (90+5 autogol) për Shqipërinë – A. Rexha (35’, 59’) për Kosovën.

Shqipëria: Zani, Curraj, Rrahmani, Bajraktari, S. Jashari, L. Begolli, Morina, Velaj, Gjini, Franja dhe Doçi.

Kosova: Kolgeci, Kastrati,  Kaçiu, Bajra,  Shala, Limani, Kryeziu, Syla, Durguti, Rexha dhe Biçkaj.