Për emigrantët e paligjshëm, qëndrimi në SHBA po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Administrata “Trump” ka prezantuar direktiva të ashpra për zgjerimin e rrjetës së deportimit të emigrantëve pa dokumente.

Në shënjestër, bashkë me ata që dënohen për krime serioze, do të jenë edhe emigrantët e arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit e vjedhje. Memot nuk ndryshojnë ligjet e emigracionit në SHBA, por mundësojnë përforcimin e masave ekzistuese.

Rreth 11 milionë emigrantë të paligjshëm vlerësohet se jetojnë në SHBA. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të martën se udhëzimet e reja nuk do të shoqërohen me deportime masive, por i jepnin fuqinë agjencive shtetërore të zbatonin ligjet ekzistuese.

“Mesazhi i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit për Sigurinë e Brendshme është se njerëzit që jetojnë në këtë vend, e që përbëjnë një kërcënim për sigurinë tonë, do të jenë të parët që do të largohen”, tha Spicer.

Dy memot e publikuara të martën lejojnë patrullën kufitare dhe Agjencinë e Emigracionit e Doganave të deportojnë njerëzit në mënyrë të menjëhershme.

Gjatë presidencës së Obamës, deportimet e përshpejtuara aplikoheshin tek ata persona që kishin qenë në vend jo më shumë se 14 ditë, e që gjendeshin brenda 160 km nga kufiri. Për zbatimin e udhëzimeve të reja, Departamenti për Sigurinë e Brendshme ka në plan të punësojë 10 mijë operatorë për Agjencinë e Emgracionit e Doganave dhe 5.000 oficerë për patrullën kufitare.