Hartimi i një plani të përbashkët për të mirën e të gjithë atyre që jetojnë në Maqedoni është nevojë urgjente e momentit. Ne, shqiptarët, veçanërisht dhe fatkeqësisht dimë të shohim njëri-tjetrin më shumë si problem se sa si zgjidhje. Është kjo psikozë e pasqarueshme që ka ditur të na sjellë pasoja të rënda ndër shekuj…

Nga Dr. Arben TARAVARI

Për Maqedoninë e cila është vendosur para dyerve të NATO-s është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm ky i tanishmi. Si rrallë herë projektorët ndërkombëtarë janë kthyer kah ne. Është një moment ankthi politik, diplomatik, social, ekonomik, pasi ajo derë që pret të hapet ndryshon shumë gjëra jo vetëm për ne që jetojmë në Maqedoni po edhe për fqinjët tanë, por edhe për miqtë e afërt dhe të largët. Pritet që ne të trokasim ashtu si do Evropa dhe SHBA-të, dhe dera atlantike veriore hapet. Të trokasësh sipas ritmit të diktuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë, do të thotë votim i referendumit të 30 shtatorit, do të thotë ndryshim i emrit të shtetit, do të thotë edhe fillim i integrimeve dhe reformave, fjalë të cilat si emra i kanë përdorur shumë politikan në Maqedoni por kurrë nuk i arritën! Opinioni politik i përfaqësuar nga politikanë, opinionistë, gazetarë e njerëz me një lloj impakti social, kanë dilemat e veta!

Ka fanatikë-fundamentalistë të cilët edhe pse në kufijtë e një jete të botës së tretë, preferojnë të rrezikojnë rrënim ekonomik dhe emri mos të ndryshojë assesi! Ka politikanë të cilët këndojnë këngë të tjera nga ato të djeshmet, vetëm sepse janë ulur në kolltuqe qeveritare që po ju shijojnë shumë, shpresoj që rehatia e rrejshme e kolltukut mos t’i verbojë deri në pika të pakthyeshme. Ka nga ata të cilët vetëm flasin dhe nuk mendojnë. Ka nga ata të cilët e duan me gjithë zemër përparimin e popujve të Maqedonisë si një shtet që jeton në harmoni dhe barazi. Ka të bindur dhe ka prej atyre që dyshojnë. Krahu më pak dyshues për ndryshimin e emrit janë shqiptarët dhe të gjithë maqedonasit të cilët nuk duan të jenë më kukulla të një politike kriminele.

Të gjithë ne bashkë duam ta marrim këtë shtet për dore dhe ta çojmë aty ku përkasim, në Evropën mike. Na duhet unitet më shumë se kurrë, sidomos faktorit shqiptar, ndaj në cilësinë e një fuqie politike si që është Aleanca për Shqiptarët, bëjmë thirrje për një tryezë të përbashkët politike shqiptare. Tryezë për të cilën u zbutuam të gjithë, duke e firmosur Deklaratën e Partive politike parlamentare shqiptare, në janar të 2017. Kjo tryezë e specifikuar shqiptare, nuk ka për qëllim diskriminimin e asnjë etnie që jeton në shtetin tonë. Ka për qëllim të vetëm, mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të bazuar në liritë e individit dhe liritë e demokracisë. Duke arritur një marrëveshje solide brenda krahut shqiptar do të jemi ende më gati për të bashkëpunuar me çdo grup tjetër politik, etnik, diplomatik, miqësor apo strategjik. Hartimi i një plani të përbashkët për të mirën e të gjithë atyre që jetojnë në Maqedoni është nevojë urgjente e momentit. Ne, shqiptarët, veçanërisht dhe fatkeqësisht dimë të shohim njëri-tjetrin më shumë si problem se sa si zgjidhje. Është kjo psikozë e pasqarueshme që ka ditur të na sjellë pasoja të rënda ndër shekuj. Nga ana tjetër, po ne shqiptarët kemi treguar në histori që jemi pjesë e arkitektëve të qytetërimit të vjetër evropian. Flamuri ynë nuk ka shkelur kurrë një tokë të huaj si pushtues. Kemi qenë gjithnjë të paqtë e kemi respektuar mikun si veten. Nuk kemi parë asnjë ngjyrë, fè, traditë apo zakon tjetër si problematik, madje i kemi respektuar maksimalisht. Kemi dashur dhe e duam ende më shumë zhvillimin e arsimit sepse dija është liri, është harmoni, është paqe. Edhe pse viktima të një politike fashiste, deri në kohët moderne na është mohuar e drejta e shkollimit në vendin tonë, në gjuhën tonë, ne ende kemi motiv paqen dhe bashkëpunimin ndëretnik për të arritur qëllimet tona.

Me ndryshimin e sistemit, menjëherë prindërit shqiptarë vrapuan të shkollojnë fëmijët e tyre. Ky është shembulli më i qartë i llojit të luftës tonë, luftës për dituri. Megjithëse është abuzuar shumë nga vet shqiptarët e nga të tjerë, e ardhmja jonë duhet dhe do të jetë EVROPIANE! Por kushti kryesor që kemi para derës është: të ulemi këmbëkryq me njëri-tjetrin, si shqiptarë, të shohim njëri tjetrin si familje, në mënyrë që të jemi pjesë e një Familje edhe më të madhe. Jemi të sigurt që në zemrën e çdo shqiptari fle ëndrra e paqes dhe e zhvillimit. Dita kur të gjithë ne mund të jetojmë si etni dinjitoze brenda një shteti të vetëm nuk është larg. Regjimet e frikshme, ata që na kanë vënë të qajmë fëmijë të pafajshëm, që na kanë detyruar të nisim rininë jashtë në mërgim, që nuk na kanë dhënë të drejta normale të barabarta me çdo popull tjetër, nuk kanë përfaqësuar asnjëherë popullin, por vetëm disa individë që me forcë, dhunë e plane anti-njerëzore – kanë plagosur demokracinë e vendit dhe kanë tentuar të egërsojnë popullin shqiptar. Gjithsesi fisnikëria është në ADN-në tonë, ndaj duhet dhe do vazhdojmë të besojmë tek dialogu, duke u bashkuar dhe kërkuar zgjidhje dinjitoze për shqiptarët në Maqedoni.