13 dhjetori do të jetë ditë votimi për Pllasnicën.

Banorët e këtij vendi do të votojnë për kryetarë komune në zgjedhjet e parakohshme lokale, pasi kryetari i deritanishëm Ismail Jahoski u bë deputet në përbërjen e re të Kuvendit.

TV21 vizitoi këtë komunë për të parë nga afër atmosferën parazgjedhore dhe për të pyetur banorët nëse do të dalin të votojnë tani kohë pandemie.

“Ende nuk e dimë se si do të vendosin njerëzit a do të dalin apo jo. Mendoj se nëse respektohen të gjitha masat do të dal populli të votojë”, tha një banor.

“Ata duhet profesionalisht të vendosin, nëse ata vendosin dhe nëse ka mundësi që ata të bëjnë mundësi për votim, të mbahet distanca, maskat unë do të dal”, u shpreh një tjetër banor.

“Po do të dalim, çdo herë dalim. Kushtet i kemi të mira, duhet edhe diçka të rregullohet, këtu ujësjellës nuk kemi pjesa poshtë në këtë lagje, duhet ujësjellësi të rregullohet këtu dhe të jetë gjithçka në rregull”, potencoi një banor.

Në komunën e Pllasnicës të drejtën e votës më 13 dhjetorë do të mund ta shfrytëzojnë 5.045 banorë.

Për momentin ushtrues detyre kryetar komune është Ellsan Nurqeski.

Edhe kjo komunë është e prekur nga Covid-19, ndonëse qytetarët thonë se i respektojnë masat për mbrojtje.

“Në Pllasnicë i respektojmë masat aq sa mundemi dhe mendoj se çdo kush duhet të frikësohet dhe t’i respektoje masat”, theksoi një banor tjetër.

“Pasi që të gjithë kompetentët, epidemiologët, infektologët konstatojnë se ekziston virusi dhe besojmë se ekziston ai virus dhe masat që merren përgjithësisht i respektojmë dhe duhet ti respektojmë”, deklaroi një banor.

“Frikë nuk kemi pasi që ne punojmë në të hapur dhe punojmë normalisht”, shtoi një tjetër banor.

Nuk ka numra të saktë sa të infektuar ka në këtë komunë, pasi disa nga banorët janë testuar në spitalin e Kërçovës e disa në atë të Makedonski Brodit.

Ndryshe më 13 dhjetor zgjedhje për kryetar komune do të ketë edhe në Shtip, pasi kryetari i kësaj komune Bllagoja Boçvarski u zgjodh Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Të drejtë vote në Shtip kanë 39.564 banorë.

TV21