Kur bëhet fjalë për gjyqësinë, nuk mund të pritet që reformat të bëhen për një kohë shumë të shkurtër. Shteti i zënë rob për aq vite ka qenë në një gjendje të tillë që tani edhe po të dojë të bëjë diçka të menjëhershme, është e pamundur. Mund të them se ka vullnet të madh dhe entuziazëm për punë nga të gjitha palët dhe se reformat do të bëhen në një proces pak më të gjatë, posaçërisht në pjesën e asaj që do të thotë Këshill gjyqësor, përgjegjësitë dhe kompetencat e tij dhe tërë ajo që do të çonte drejt mundësimit të pavarësisë dhe paanësisë në gjyqësi, përcjell Fol.

Këtë e deklaroi Margarita Caca Nikollovska, kryetare e Institutit për të drejta të njeriut dhe ish-gjykatëse e Gjykatës Evropiane për të drejta të njeriut gjatë prezantimit të sotëm të raportit të parë monitorues “Reforma në gjyqësi – nga Pribe 1 deri te Pribe 2 e më pas”.

Lidhur me Raportin e Pribesë dhe detektimin e dobësive në gjyqësi, sipas Caca Nikollovskës, problem më të madh ka në Këshillin gjyqësor dhe në pjesën e gjykatësve të cilët kanë vepruar sipas lëndëve.

“Problemi është në atë që në ndonjë mënyrë ka pengesë të madhe në vlerësimin e asaj se kush dhe në çfarë mënyre është sjellë pa përgjegjësi. Ato gjëra nuk mund të zgjidhen ashtu lehtë. Dhe mendoj se me zgjedhjen e prokurorit shtetëror do të hapet vend për mundësi më të mëdha për reagim dhe për ngritje të mundshme të procedurave adekuate si nga Prokuroria, ashtu edhe nga organet e tjera, përfshirë edhe Shoqatën e gjykatësve që merr për detyrë të fillojë të reagohet nga brenda”, tha Caca Nikollovska.

Ajo theksoi se ende nuk ka parë çfarëdo lloj reagimesh nga brenda lidhur me veprimin nga ana e gjykatësve dhe i bëri apel para së gjithash Këshillit gjyqësor dhe të gjithë atyre të cilët, thotë, kanë virtyt ta lexojnë Raportin e Pribesë dhe Planin 3-6-9 të Qeverisë dhe vetë të tërhiqen nga ajo që do të thotë veprim pa përgjegjësi dhe veprim i pavarur nga ana e personave të cilët e kryejnë funksionin gjyqësor, ndërkaq edhe nga ata persona të cilët e vlerësojnë punën e kryerjes së funksionit gjyqësor.

“Më konkretisht pres që edhe anëtarët e Këshillit gjyqësor ta kenë virtytin dhe të mendojnë në këtë drejtim”, porositi gjykatësja Caca Nikollovska, e cila është edhe nënkryetare dhe gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

Mirosllav Draganov, drejtor ekzekutiv i Institutit për të drejta të njeriut nga aspekti i transparencës së Këshillit gjyqësor vlerësoi se ajo përforcohet në periudhën pas shtatorit të vitit 2016, ndërsa për herë të parë është vendosur edhe praktikë gjatë zgjedhjes së u.d. kryetar i Gjykatës Themelore Shkup 1 kur është zgjedhur nga radhët e gjykatësve nga Gjykata Supreme, si dhe gjatë zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme kur kandidatët për kryetarë janë ndarë në tre lista të veçanta pa kurrfarë arsyetimi.

“Lidhur me Këshillin e prokurorëve publikë si konkluzion mund të themi se nga 1 qershori i vitit 2015 përfundimisht me 30 shtatorin e vitit 2017 janë zgjedhur tre gjykatës nga Prokuroria Publike e RM-së, katër në prokuroritë e larta publike, 15 prokurorë publik janë zgjedhur në Prokurorinë Themelore Publike për krim të organizuar dhe parandalim të korrupsionit. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë shkarkuar 21 prokurorë publikë me ç’rast dy janë emëruar në funksione të tjera, ndërsa madje është interesante që asnjëri nga këta prokurorë publikë nuk është shkarkuar për shkak të ushtrimit jo të vetëdijshëm dhe joprofesional të funksionit të tyre e as për shkak të procedurës së ngritur disiplinore për bërjen e ndonjë shkelje më të rëndë disiplinore. Nga ana tjetër madje në periudhën 1 korrik të vitit 2015-1 korrik të vitit 2017 janë dorëzuar 145 parashtresa dhe vërejtje dhe nga ana e qytetarëve dhe subjekteve tjera, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë bazë për dyshim në drejtim të ngritjes së procedurës disiplinore kundër cilitdo qoftë prokurori publik”, thotë Draganov.

Iva Conevska nga Instituti për politikë evropiane u përqendrua në punën e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë që në raportin monitorues thuhet se ky trup e ka përmirësuar cilësinë e trajnimeve të tij, ka fituar buxhet të rritur për vitin 2016 për 30 për qind në krahasim me vitin 2015, por që kjo nuk është e mjaftueshme. Siç theksoi Conevska, buxheti i këtillë i Akademisë duhet të jetë i rritur duke pasur parasysh faktin se një pjesë e trajnimeve dhe aktiviteteve financohen me ndihmën e donatorëve të huaj. Në raportin monitorues rekomandohet që Akademia ta përmirësojë cilësinë e trajnimeve fillestare dhe të trajnimeve për kapitullin 23 dhe 24 si kyçe për negociatat e inkuadrimit me BE-në.

Zoran Drangovski kryetar i Shoqatës së Maqedonisë të juristëve të rinj lidhur me rekomandimet e Raportit të Pribesë u fokusua në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut me ç’rast është ndjekur puna e Byrosë për përfaqësim të RM-së para GJEDNJ-së, si dhe pjesa e punës së grupit ndër-resor i cili është i obliguar ta ndjekë procesin e ekzekutimit të aktvendimeve kundër RM-së.

“Edhe pse në Raportin e Pribesë u sugjerua të rriten aktivitetet e grupit ndër-resor vërejtëm se ato janë zvogëluar. Në vitin 2015 janë mbajtur vetëm katër takime, në vitin 2016 një dhe në vitin 2017 gjithashtu një takim i cili është mbajtur vetëm para një muaji që është shqetësuese për shkak se një numër i madh i aktvendimeve nga GJEDNJ-ja kundër RM-së presin të ekzekutohen”, tha Drangovski.

Raporti i parë monitorues “Reforma në gjyqësi – nga Pribe 1 deri në Pribe 2 dhe pastaj” është përpiluar në kuadër të projektit “Aksion i përbashkët për reforma urgjente në gjyqësi” i cili është realizuar nga ana e Institutit për të drejta të njeriut (IDNJ) si bartës i projektit, në bashkëpunim me Shoqatën e Maqedonisë të juristëve të rinj (SHMJR) dhe Instituti për politikë evropiane (IPE).

Ky raport monitorues është i bazuar në prioritetet urgjente reformuese, nga qershori i vitit 2015, në pjesën e qeverisjes së të drejtës dhe gjyqësisë – sektori i legjislacionit (të cilët për bazë e kanë Raportin e grupit të ekspertëve, i kryesuar nga Rajnhard Pribe, nga viti 2015), dhe Raportin e dytë të Pribesë, nga shtatori i vitit 2017. Grumbullimi i të dhënave kryesisht është i bazuar në përpunimin e Metodologjisë për ndjekje të institucioneve nga sistemi gjyqësor i Republikës së Maqedonisë me qëllim të identifikimit të reformave të cilat janë konfirmuar si prioritet (IRP). /Fol/