Instituti Sizmologjik i ka dhënë dritë jeshile projektit për ndërtimin e Shkollës Fillore në lagjen Bardhi të fshatit Bllacë. Këtë e konfirmoi ministri i Arsimit Arbër Ademi. Ai pret që javën e ardhshme të kompletohet dokumentacioni dhe i njëjti t’i dorëzohet komunës Çuçer Sandevë e cila duhet të përgatit lejen e ndërtimit. Ademi tha se për nisjen e punimeve janë ndarë edhe mjetet financiare të parapara me programin vjetor për investime kapitale për vitin 2019.

“Gojarisht nga Instituti Sizmologjik na është përcjellë se kanë dhënë mendim, të njëjtin po e presim edhe zyrtarisht të arrijë mendimi pozitiv. I njëjti do tu adresohet, do t, ju dërgohet projektuesit dhe revidentit që nëqoftëse ka ndonjë vërejtje të caktuar, të veprojnë në përputhje me ato vërejtje dhe të kompletohet kështu dokumentacioni dhe të bëhet kërkesa për procedim të mëtejshëm të lëndës”, u shpreh Arbër Ademi, ministër I Arsimit dhe Shkencës.

Ditë më parë edhe kreu I komunës Çuçer Sandevë, Jovan Pejkovski u deklarua se në mënyrë të përshpejtuar do të zhvillojë të gjitha procedurat për të siguruar lejen e ndërtimit për shkollën në fjalë.

“Ky vendim do të kalojë në këshill dhe menjëherë mund të fillojnë punimet për ndërtim, unë e di që janë siguruar paratë dhe gjitha nevojat tjera”, tha Jovan Pejkovski, kryetar I komunës Çuçer Sandevë.

Pavarësisht premtimeve, banorët e Bardhit shprehen skeptik se një objekt shkollor do të ngrihet në fshatin e tyre. Kjo për shkak të premtimeve prej vitesh për një Shkollë. Banorët thonë se Jovan Pejkovski tashmë ka mandatin e tretë si kryetar i komunës Çuçer Sandevë dhe për gjithë këto vite asnjëherë nuk e ka marr seriozisht kërkesën e banorëve për ndërtimin e një objekti të ri shkollor në lagjen Bardhi. Në mungesë të shkollës, nxënësit e Bardhit edhe këtë vit shkollor e kanë nisur në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” të Hanit të Elezit, ku dekada me radhë kanë mësuar edhe prindërit e tyre. Sipas të dhënave nga drejtoria e shkollës “Ilaz Thaçi”, për momentin në këtë shkollë mësimin e ndjekin 20 nxënës të Bardhit, nga klasa e parë deri në të nëntën. /Alsat M/