“Na urrejnë, na vrasin dhe askush nuk na mbron”. Postimi në “Twitter” i kreut të “Partisë së Lirisë” në Holande, Gert Wilders, ka shkaktuar jo pak polemika, e arsyeja nuk është vetëm mesazhi i tij, por edhe fotomontazhi shokues që e shoqëron: ajo e Kancelares gjermane Angela Merkel me duart dhe fytyrën të mbuluar në gjak.

“Merkel, Rutte dhe udhëheqësit e tjerë burracakë kanë provokuar cunamin e azilit dhe të terrorizmit islamik me vendimin për të hapur kufijtë”, vazhdon ultranacionalisti.

Ngjarja e përpara dy ditëve i ka dhënë një tjetër grusht të fortë pozitave politike të Merkelit, që kërkon një mandat të katërt në postin e shefes së ekzekutivit. Eksponentët e partisë gjermane antiemigracion “Alternativa për Gjermaninë” janë hedhur në sulme të egra ndaj kancelares, duke e akuzuar se ka gënjyer mbi situatën e sigurisë së vendit.

“Ngjarje si ajo e Berlinit do të jenë trashëgimia e Merkelit”, ishte komenti i Nigel Farage, ish-kreu i partisë britanike anti-BE, “UKIP”. Të njëjtin pozicion mban dhe mbesa e Marine Le Penit, Marion, e cila thotë se terroristi islamik i Berlinit është një emigrant dhe përgjegjësia për episodin e dhunshëm rëndon mbi Merkelin.

Edhe vet koalicioni i madh i saj përpëlitet mes tensioneve me CSU-në, ndaj në një fushatë elektorale të çelur mes një klime kaq të tensionuar politike dhe sociale, Angela Merkel do të ketë nevojë për shumë solidaritet.