Numri i fëmijëve që jetojnë në varfëri do të ngjitet në 86 milionë deri në fund të vitit për shkak të krizës me Covid-19 në nivel global, për këtë arsye analiza e re “shpëtoni fëmijët” së bashku me UNICEF zbulojnë se pa aktivitete të shpejta numri do të ketë rritje për 15%. Në intervistë për TV Klan përfaqësuesja e UNICEFI-it në vend, Patricija Di Xhovani, thotë se është optimiste dhe pret që pas krizës të krijohen mundësi më të mira dhe të barabarta për të gjithë fëmijët.
Kriza me Covid-19 e ka ndezur alaramin për mbrojtje dhe preventivë posaçërisht te fëmijët, edhe atë në më shumë aspekte, arsimi, varfëria e fëmijëve si dhe dhuna në kushte të lëvizjes së kufizuar, për çka UNICEF-i vazhdimisht punon duke i rishikuar edhe shembujt e mirë nga vendet që tashmë i kanë hapur çerdhet dhe shkollat, thekson për TV Klan Patricija Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut.
“Kriza e shkaktuar me Covid-19 gjithashtu ka ndikuar edhe te fëmijët edhe në aspekte të tjera përveç arsimit, si për shembull pjesa më e madhe e prindërve i kanë humbur vendet e punës, edhe fëmijët përballen me varfërinë e fëmijëve posaçërisht në familjet që janë tashmë të varfëra, atje stresi nga situata është më i madh dhe sigurisht që pasqyrohet te fëmijët. Shtrohet pyetja a kanë ata qasje në sigurimin shëndetësor, a kanë pasur më parë? Unë mendoj se Fondet Evropiane kanë ofruar pako të caktuara ekonomike të cilat gjithsesi se mund të ndihmojnë”, tha Di Xhovani.
Askush nuk e di si do të duket “normaliteti i ri” dhe çfarë ndryshime do të shkaktojë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
“Ne nuk e dimë si do të duket, por unë jam optimiste, ne nuk duhet t’i kthehemi normalitetit të vjetër, duhet të përpiqemi të shkojmë drejt normalitetit më të mirë, ky normalitet më i mirë do të jetë çdo fëmijë të kthehet në shkollë, çdo person i rritur të ketë mundësi të barabarta, çdokush të ketë qasje në sigurimin shëndetësor, pa marrë parasysh prej cilave familje vinë ata fëmijë ose ku jetojnë, do të thotë duhet të kthehemi më të mirë nga ajo që kemi qenë, gjërat që kemi menduar se nuk janë të mira t’i bëjmë të funksionojnë më mirë, kjo duhet të jetë prioritet për të gjithë kur të kthehemi në normalitet kurdo që të jetë”, tha Di Xhovani.
Hapja e shkollave dhe çerdheve është proces i nevojshëm, thotë Di Xhovani, por rekomandimet edhe nga UNICEF-i edhe nga OBSH-ja janë se duhet patur kujdes për mbajtjen maksimale të higjienës, distancës fizike, që është posaçërisht e vështirë te fëmijët si dhe ndjekja e vazhdueshme e parametrave shëndetësorë. Periudha pas krizës korona duhet të krijojë mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë në fondet sociale dhe shëndetësore për të gjithë fëmijët./KlanMacedonia