Agjencia amerikane për zhvillim, USAID, promovoi sot në Gostivar projektin për shoqërinë civile, i cili deri në vitin 2021 do të përforcojë angazhimin konstruktiv të organizatave të shoqërisë civile në politikat dhe çështjet e interesit publik, dhe do të zmadhojë dhe mbështesë përfshirjen e të rinjve në jetën shoqërore në Maqedoni.
 
Projekti realizohet nga ana e  East West Management Institute nga ShBA, në konzorcium me katër organizata lokale: Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, Asociacioni për iniciativa demokratike (ADI), Fondacioni “Shoqëri e hapur” – Maqedoni (FShHM) dhe Këshilli rinor nacional i Maqedonisë (KRNM).
 
Gjatë vizitës së tij në sesionin informativ në Gostivar, drejtori i USAID-it, Eduard Gonzales, bëri të ditur qëllimet e këtij projekti dhe rezultatet e pritura të tij.
 
“Pasi kemi individë të ndryshëm dhe organizata të ndryshme që marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve sociale, në këtë mënyrë mendojmë se ofrojmë zgjidhje më të mirë për problemet që e tangojnë shoqërinë tonë. Besojmë që do të ketë interesim të madh të organizatave joqeveritare këtu në Gostivar, pasi duam të bashkëpunojmë me ta”,- deklaroi drejtori i USAID-it, Eduard Gonzales.
 
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Asociacionit për Iniciativa Demokratike (ADI) nga Gostivari, Albert Musliu, foli për iniciativat rinore që do t’i përkrahë kjo organizatë.
 
Deri në fund të programit 5-vjeçar, 9,5 milion dollarë do të shërbejnë për të financuar shoqërinë civile dhe të rinjtë në drejtim të forcimit të aleancave, organizatave qytetare dhe rinore, me qëllim të avancimit të politikave dhe shërbimeve publike, nxitjes së qeverisjes së mirë si dhe të kontribuojë në përmirësimin e standardit të jetesës së njerëzve.