Përvjetori i 105 i themelimit i gjeti Forcat e Armatosura shqiptare në zbatim të misionit kushtetues për tu ardhur në ndihmë civilëve të prekur nga katastrofa. Por ky angazhim i fazës emergjente do të vijojë edhe në pastrimin e territorit. Urimet e para për trupën e FA i përcollën Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

105 vjetori i themelimit e gjeti trupën e forcave të armatosura të shpërndarë në të gjithë vendin në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura.

Por misioni duket se do të zgjatet, pasi Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka nga Darzeza e Fierit paralajmëroi angazhimin për pastrimin e territorit dhe ndihmën e banorëve të prekur.

Mesazhin e parë në këtë 105 vjetor, Forcat e Armatosura e morën nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Ndërsa Kryeministri i vlerësoi nga mbledhja e Komitetit të Emergjencave.

Disa qindra forca të ushtrisë janë angazhuar nga jugu në veri në ndihmë dhe mbrojtje të popullsisë civile të përcaktuar në Kushtetutë mes detyrave dhe misionit të tyre.