Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore Shkencore ,,Nobel” nga Republika e Turqisë organizuan Kongresin ndërkombëtar për shkencat dhe teknologjinë bimore IPSAT 2017.  Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti pjesëmarrësve në këtë kongres me fjalë përshëndetëse ju drejtua profesori i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Doc. Dr. Erhan Sulejmani.

Ai tha se Universiteti ynë mburret që është organizator kryesor dhe nikoqir i kësaj konference, ku ka tubuar mbi 50 ekspertë të njohur nga vende të ndryshme. ,,Në konferencën e sivjetme do të trajtohen tema nga biokimia, epigjenetika, biologjia e sistemeve, hulumtimet në terren nga shkenca e bimëve, mekanizmat dhe kontrolli i rezistencës ndaj sëmundjeve, rregullimi i rritjes dhe zhvillimit të bimëve, studimi i mënyrave të biokarburanteve, përdorimi i azotit, biodiversiteti i bimëve dhe indet e kulturave bimore”, tha Doc. Dr. Erhan Sulejmani.

Kryetari i Qendrës Kërkimore Shkencore ,,Nobel” nga Republika e Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Karatash, në hapjen e punimeve të këtij Kongresi u shpreh se, Kongresi Ndërkombëtar për Shkencat dhe Teknologjinë Bimore IPSAT 2017 mundëson një platformë ideale për hulumtuesit.

“Në këtë kongres studiuesit do t’i paraqesin rezultatet më të reja hulumtuese dhe t’i përshkruajnë teknologjitë e reja dhe drejtimet nga fiziologjia dhe biokimia e kulturave bimore, epigjenetika, biologjia e sistemeve, hulumtimet në terren në lëmin e shkencave bimore, biodiversitetin e bimëve dhe indeve të kulturave bimore. Në këtë konferencë do të marrin pjesë më tepër se 50 folës, gjatë dy ditëve në vazhdim. Me këtë rast dua të theksoj bashkëpunimin ndërkombëtar për të cilin e falënderoj Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti si partner vendor i kësaj konference”, u shpreh Prof. Dr. Mehmet Karatash.

Vlen të theksohet se një javë më parë Universiteti ynë i përmbylli me sukses dy konferenca nga fusha e bujqësisë dhe e shkencave veterinare.