Me një akademi solemne, sot në Universitetin e Tetovës u shënua 109 vjetori i Kongresit të Manastirit, e njohur ndër shqiptarët si Dita e Alfabetit. Në hapjen solemne të kësaj akademie, dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani tha se, udha e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë.

“Zgjedhja e një ABC-je të vetme për shkrimin e shqipes sfidoi anarkinë e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit, të cilët e bënë gjuhën në element që nisi ta rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij. Qe ky momenti i fundit për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkuptonte dhe dezintegrimin e etnisë. Parë nga distanca e sotme kohore, duhet thënë se Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve të cilat mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët. Në fund fare, më lejoni që në emrin tim, po dhe në emrin e Rektorit, Prof. dr. Vullnet Ametit, i cili aktualisht nuk gjendet këtu dhe i cili ma besoi organizimin e kësaj akademie, t’ua uroj Ditën e Alfabetit Shqip – 22 Nëntorin”, tha Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Për rëndësinë letrare të Kongresit të Manastirit referat paraqiti Doc. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi, e cila tha se me themelimin e Alfabetit të Manastirit, shqiptarët treguan se një popull arsimdashës i afrohet botës së qytetëruar. “Udha e shkronjave vërtet qe e vështirë, përtej një golgote njerëzore. Po këtë rrugë të vështirë dikur e kaluan edhe: Buzuku, Matrënga, Bardhi, Budi, Bogdani e të tjerë… dhe sfidat e tyre të shumta u kurorëzuan me vlera gjuhësore e shumëdimensionale. Arritjet tona të sotme u detyrohen përpjekjeve të këtyre paraardhësve tanë. Vlerat gjuhësore e kulturore u kultivuan dhe u bartën shekuj me radhë nga intelektualë shqiptarë, të cilët edhe në rrethana të sundimeve të huaja, qenë burim frymëzimi për breza të tërë rreth kauzës kombëtare. ”Atdheu”, ”gjuha”, ”flamuri” dhe ideali për ”liri”, mbetën lajtmotiv i atdhetarëve që e synonin ëndrrën shekullore, që gjithsesi bëhet realitet pas Kongresit të Alfabetit, më 1912, me lindjen e Shtetit të Pavarur Shqiptar dhe gati një shekull më vonë, edhe Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Doc. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi.

Ndërsa për rëndësinë gjuhësore të Kongresit të Manastirit foli Doc. dr. Berton Sulejmani, sipas të cilit Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. “Me të drejtë thuhet se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky është kuvendi që mblodhi shqiptarët nga të gjitha krahinat e vendit tonë, nga ngulmimet shqiptare e të tjerë, duke dhënë sinjalin e parë për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar. Gjithashtu, ai për herë të parë në historinë tonë çeli rrugën e kongreseve për të diskutuar çështje madhore të kulturës sonë. Shkronjat e shqipes janë marrë nga alfabeti latin, por sistemi i shkrimit dhe sistemi grafik i shqipes ka disa veçori, që i japin një karakter deri diku sui generis”, tha Doc. Dr. Berton Sulejmani.

Kjo akademi u pasurua edhe me një program të begatshëm artistik, të përgaditur nga studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik dhe studentët e Katedrës së Muzikës të Fakultetit të Arteve të Universitetit tonë.