SHA EEM do të ndajë 10 milionë euro përkatësisht 618 milionë denarë për implementimin e masës ekologjike për subvencione për furnizim të kondicionerëve inverterë për amvisëritë në Shkup, Manastir, Tetovë dhe Kërçovë, si qytete më të goditura nga ajri i ndotur, të cilat ngrohen me drunj, thëngjill dhe derivate fosile me emetim të lartë të dioksidit të karbonit dhe grimcave PM të dëmshme, siç është nafta.

Kryeministri Zoran zaev sot në konferencë për shtyp informoi se kjo masë do të përfshijë së paku 10 mijë amvisëri dhe atë në Shkup 5.200, në Manastir 2.500 amvisëri, në Tetovë 1.500 dhe në Kërçovë 800 amvisëri. Përparësi do të kenë amvisëritë me të ardhura mujore deri 30 mijë denarë.

Ai shtoi se ky projekt ekologjik, së bashku me të tjerët, të cilët di të ndërmerren për përballje të plotë me ajrin e ndotur, kanë për qëllim në tre vitet në vijim tërësisht të eliminohet përdorimi i stufave me derivate të ngurta dhe fosile.

Mbikëqyrjen e realizimit të kësaj mase do ta bëjë Komisioni qeveritar në të cilin do të bëjnë pjesë përfaqësues edhe të së paku dy OJQ-ve, ndërsa komunat do të jenë të obliguara për kontroll 100 përqindësh të atyre amvisërive të cilat do t’i marrin subvencionet.

Analiza krahasuese e shpenzimeve të përgjithshme të ngrohjes në sipërfaqe prej 60 metrave katrorë tregon se me ngrohje me inverter do të kushtojë 11.734 denarë, me drunj 18.586 denarë, me peleta 26.010 denarë, ndërsa me naftë për amvisëri 43.038 denarë.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev theksoi se kusht i vetëm për amvisëritë është të japin deklaratë se nuk do t’i përdorin më drunjtë dhe derivatet fosile dhe ta kthejnë trupin ngrohës të cilin e kanë përdorur deri më tani, e i cili do të dërgohet në mbeturina legale. Për llogari të asaj, theksoi, do të marrin triskë të vlefshme në mënyrë që të mund të blejnë inverter.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini paralajmëroi se do të vazhdohet me këtë projekt edhe në qytetet e tjera ku ndotja është e madhe. Ai paralajmëroi se implementimi i kësaj mase nuk do të thotë se do të kapërcehet monitorimi i sektorit industrial, por do të vazhdohet me kontroll më të madh në objektet industriale.

Sipas zëvendësministrit të Mjedisit Jetësor, Jani Makraduli, i cili përsëriti se të gjitha studimet tregojnë se burimi kryesor i ndotjes vjen nga ngrohja shtëpiake, për një sezonë ngrohëse në rajon të Shkupit shpenzohen 317 mijë tonë drunj, ndërsa në Maqedoni të Veriut është 1.100.000 metra kub drunj që shpenzohen, prej të cilave 40 për qind e asaj janë nga prerja ilegale. Në atë drejtim ai paralajmëroi se do të përforcohen kapacitetet e policisë pyjore.