Po vazhdojnë edhe më tej polemikat në BDI pas vrasjes në Reçicë të Vogël në afërsi të selisë së BDI-së. Funksionari I lartë I BDI-së, Nazmi Beqiri i ka replikuar funksionarit të po kësaj partie Fariz Dervishit duke i thënë atij që të mos shpërndajë dhimbje dhe se deklaratat e tij dhëna në opinion se zënka nuk ka të bëj me politikën, është një deklaratë kontroverse. Beqiri po ashtu ka thënë se tani ndjehet i rrezikuar nga deklaratat e Dervishit duke shtuar se ky i fundit do të jetë adresa ku do të kërkohet përgjegjësi nëse ati i ndodh diçka që do t’i cënojë sigurinë.
Nazmi Beqiri, funksionar i BDI-së
“Kjo deklaratë e jotja nuk e mbulon propozimin tim në atë mbledhje (që tani më është i publikuar), as deklaratën time që iu drejtova degës së po sa zgjedhur se do t’u shembi nga ajo strukturë politike brenda partiake me gjithë postëmbajtësit, dhe as nuk të shfajëson ty e as të tjerët që nuk më keni përkrahur. Thëniet e mia nuk i ke dëgjuar vetëm ti, por të gjithë që ishit aty, madje në publikimin paraprak kam cekur edhe stenogramet e mbledhjes (po i përsërisë për lexuesit e mundshëm, ngase ti dhe 40 të tjerë e keni dëgjuar aty). Ke përmend edhe numrin e votave që ishin kundër propozimeve të mia, mbase nuk u interesonte siguria e njerëzve tanë, por pushteti. Me këtë deklaratë po kërkon vazhdimin e problemit e rritjen e vuajtjeve të shqiptarëve. Madje përmende edhe emrin tim… Tani, për cenimin e sigurisë time (pavarësisht se si mund të ndodh dhe ku mund të ndodh ai) opinioni dhe organet e drejtësisë kanë një adresë ”
Ai i ka porositur ata që duan ta dinë të vërtetën e thënieve dhe kërkesave të tij në atë mbledhje, që t’i kërkojnë stenogramet e mbledhjes.
Në përleshjen mes anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim që ndodhi të enjten në mbrëmje në Reçicë të vogël mbeti i vrarë Naip Rexhepi – Bellanoca, ndërkaq u plagosën Florim Misimi nga fshati Çerkez i Kumanovës, si dhe vëllai i Naipit, Sabri Rexhepi. Policia ka arrestuar 12 persona të dyshuar për këtë ngjarje. Prej tyre 11 persona janë arrestuar, ndërsa njëri ndodhet për shërim në spital. Shkak për zënkën mes dy krahëve rivalë ka qenë zgjedhja e kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë. Kjo është hera e dytë që për arsye të njëjtë derdhet gjak në BDI. Në vitin 2015 ngjashëm si tani në përplasjet për zgjedhjen e kryetarit të degës u vra Xhemail Rexhepi, komandant Shqiponja.