Mbrëmë në emisionin VOX në TV Shenja u trajtua niveli alarmant i vdekshmërisë së foshnjeve, i cili është trefishi i mesatares evropiane.

Përfaqësuesit e Klinikës së Gjinekologjisë thanë se tashmë po bëhen hapa për uljen e këtij numri. 60 % e vdekjeve të foshnjeve në Maqedoni kanë të bëjnë me lindje të parakohshme, foshnje të pazhvilluara ekstremisht dhe me peshë trupore nën një kilogram. Kështu deklaroi zëdhënësja e gjinekologjisë, Dragana Bukilica, mbrëmë në emisionin VOX në televizionin Shenja. Ajo theksoi se spitali për gjinekologji dhe akusheri po bën zvogëlim të borxheve, me qëllim që mjejet e kursyera të përdoren për blerje të pajisjeve të reja për klinikën, gjë që do të përmirësonte kushtet për pacientët dhe do mundësonte lehtësime për punëtorët e shëndetësisë. Një tjetër rrethanë lehtësuese për momentin , theksoi ajo, është pranimi i motrave medicinale në klinikën për gjinekologji dhe akusheri.

DRAGANA BUKILICA, ZËDHËNËSE E GJINEKOLOGJISË

“Kur flasim për vdekje, më rëndësi që të theksohet është se 60% e vdekjeve  të foshnjeve të posalindura, kanë të bëjnë me foshnjet të cilat kanë lindur pas muajit të 28, ose të atyre foshnjeve të pazhvilluara ekstremisht dhe me peshë trupore nën një kilogram. E gjithë kjo është gjithsesi rrezik, i cili ndonjëherë mund t’i përcjell foshnjet. Ajo që dua poashtu të theksoj është paralajmëruar strategji për shtatëzani më të sigurtë, sigurisht nëpër rrjetet sociale kishte jehonë të madhe, ndërkaq ishte paralajmëruar nga ana e ministrit të shëndetësisë. Duke pasur parasysh se ne i trajtojmë pasojat e një lindje të parakohshme, theksi definitivisht duhet të vendoset tek arsyet që çojnë deri tek lindja e parakohshme”

Ndërkaq sa i takon numrit të inkubatorëve, mjekja Elizabeta Petkovska, tha se numri i inkubatorëve ka qenë i mjaftueshëm, por jo edhe hapësira për to, pasi përveç pozicionimit të inkubatorëve, nevojitet edhe aparaturë tjetër ndihmëse. Ajo nënvizoi se vendosja e dy fëmijëvë në një inkubator është normale, pasi gjithmonë vendosen foshnje të të njejtës nënë, pra bineqë, dhe në këtë mënyrë nuk ka hapësirë për bartje të infeksioneve nga një fëmijë në tjetrin.

ELIZABETA PETKOVSKA, PEDIATËR SPECIALIST
“Nëse mund të ndërlidhem, sepse shpesh herë është bërë pyetja, a keni numër të mjaftueshëm të inkubatorëve. Domethënë ne edhe më herët kemi pasur numër të mjaftueshëm të inkubatorëve, të mos keqkuptohemi. Flas për atë se ne që moti i kemi shkelur standardet. Sepse në një repart intensiv për vend të caktuar intensiv, nuk e përfshin vetëm pozicionimin e inkubatorit, por edhe të një aparature tjetër ndihmëse më të madhe ose më të vogël, duhet të ketë hapsirë të caktuar që do t’i përkasin atij vendi intensiv. Nëse ju i afroni më shumë, dhe në vend që të keni 25 vende intensive, do të bëni 35 dhe më shumë. Në atë rast i shkelni standardet, sepse ne jemi lloj I institucionit ku kujdesemi për shtatëzanitë më të vështira, pra gratë me rreziqe të larta të shtatëzanisë, ku ne nuk guxojmë të refuzojmë asnjë grua shtatzënë, të cilat dërgohen tek ne nga e gjithë Maqedonia”

Sipas ish ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, arsyet për  nivelin e lartë të vdekshmërisë së foshnjeve është sistemi i dobët, mungesa e qendrave urgjente nëpër Maqedoni, dhe mbingarkim i qendrës klinike të Shkupit. Ai vlerëson se zgjidhja nuk mund të jetë e menjëhershme,  por mund vetëm të pretendohet që vdekshmëria të zvogëlohet deri në 3%  për rreth 4 vjet.

ARBEN TARAVARI, ISH MINISTËR I SHËNDETËSISË.

“Arsyet e para do ta them se sistemi moti vetëm dobësohet dhe më shumë, mund të them e degjeneruar komplet dhe funksionon vetëm me qendrën klinike. Arsyja e dytë është që rastet e shtatëzanive të komplikuara dhe fëmijëve që kanë probleme me lindjen, qendra e vetme urgjente ku mund të trajtohen fëmijët e këtillë është vetëm Shkupi, që është shkak i cili e mbingarkon qendrën klinike të Shkupit. Ata kanë një numër të konsiderueshëm të inkubatorëve  dhe respiratorëve për fëmijët që kanë probleme me lindjen dhe prandaj edhe vdekshmëria është e madhe”.

Shkalla e vdekshmërisë së foshnjeve në Maqedoni është pothuajse trefishi i mesatares evropiane. Shkalla e vdekshmërisë së foshnjeve brenda javës së parë të lindjes në Maqedoni është rritur nga 7.5 për 1000 lindje në vitin 2011,  në 9.9 në vitin 2014. Sipas Entit  Shtetëror të Statistikave, numri arriti një rekord evropian prej 14.3 vdekjesh për 1,000 lindje në vitin 2015. Për krahasim, mesatarja evropiane për atë vit ishte 5.2 vdekje për 1,000 lindje.
Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion për vitin 2016 dhe gjysmën e parë të vitit 2017, vdekshmëria e foshnjeve nuk duket të jetë duke rënë deri më tani. Maqedonia numëronte 273 vdekje të foshnjeve në vitin 2016, ndërkaq në vitin 2017 rreth 127 deri në muajin tetor.