Kryetari aktual i Kuvendit Trajko Veljanoski, u bëri thirrje ligjvënësve që të heqin dorë nga diskutimi në foltoren e parlamentit, që seanca të marrë dinamikën e duhur dhe që sa më shpejtë të kalohet në zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit të Maqedonisë, kjo ka hasur në kundërshtim të ashpër nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit ende është duke u diskutuar pika e tretë në rendin e ditës, zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Në këtë seancë e cila filloi dje për diskutim kanë aplikuar 57 folës,  kurse sot foltoren e parlamentit do ta “okupojë” folësi i dytë Ilija Dimovski.

Pjesëmarrës në seancë edhe sot janë përfaqësuesit të korit diplomatik në vend të cilët seancën janë duke e ndjekur nga galeria e sallës.

LSDM-ja dje paraqiti një iniciativë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit me nënshkrimet e 20 deputetëve.

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është pika 4 në rendin e ditës së seancës konsitututive dhe nuk mund të diskutohet për të deri sa nuk ka përfunduar pika e tretë e rendit të ditës ku duhet që të zgjidhen kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.