VMRO-DPMNE-ja me në krye Nikolla Gruevskin dhe Trajko Veljanovskin bllokoi për orë të tëra Kabinetin e kryetarit. Ata njoftuan se do të dorëzojnë padi penale për deputetët e LSDM-së Ferid Muhiq dhe Goran Misovski të cilët ditën e zgjedhjes së Xhaferit lexuan shkresën e ritualit zyrtar. Sipas tyre, protestuesit dënuan dhunën politike që ushtroj LSDM-ja ndaj Rregullores dhe ligjeve.

“Edhe përpara se të ndodhë ai akt i paligjshëm, edhe sot, theksojmë se çdo hap i tillë i cili shkon në drejtim të demonstrimit të dhunës politike pa u respektuar Kushtetuta, procedurat, zakonet dhe Rregullorja, vetëm do ta zgjasë krizën politike dhe nuk janë të interes as të shtetit dhe as të qytetarëve si bartës të sovranitetit të tij”, deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Milloshovski dhe deputetët tjerë të pakicës së re, u larguan pa dhënë përgjigje të tjera në pyetjet e gazetarëve. Por pavarësisht retorikës së tyre, Alsat -M jozyrtarisht mëson se ka pasur ndërhyrje edhe nga ndërkombëtarët të cilët i kanë tërhequr vërejtjen VMRO-DPMNE-së kurse Veljanovski ka mbledhur dokumentet dhe gjërat personale nga Kabineti. Kjo nuk është konfirmuar nga partia e tij. Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së Zoran Zaev në një intervistë për “Dojçe Vele”ka theksuar se çdo gjë që bën Nikolla Gruevski, ka vetëm një synim, të bëj pazarllëk për amnisti dhe të mos përgjigjet para drejtësisë.

“Amnisti nuk do të ketë. Pas gjithë asaj që dëgjoi opinioni se çfarë ka bërë Gruevski, ai duhet të dalë para gjykatës. Do të ketë sistem të pavarur gjyqësor, gjykata do ta vlerësoj fajin e tij. U kam premtuar qytetarëve, Maqedonia do të jetë shtet i të së drejtës dhe drejtësia do të vlejë për të gjithë njësoj”, ka thënë mes tjerash Zaev.