Nga Arbër ÇELIKU

Nuk është problemi se këta dy ulen kokë më kokë këtu e 2 dekada (herë fshehurazi e herë ashiqare), por në emër të “kauzës” së tyre fqinji ka vrarë fqinjin, vëllai ka rrahur vëllain, shoku është prishur me shokun, katundi është bërë për pikë e pesë, njerëzit janë dëbuar nga vendi i punës, bizneset janë shkatërruar, shqiptari ka urryer shqiptarin.

Dhe ja sot, ata pinë kafe bashkë për pikë të qejfit, fotografohen para kamerave televizive dhe i injorojnë të gjitha këto dëme që ua shkaktuan për dy dekada shqiptarëve. Për më tepër, tani ata po bëjnë pakt në emër të frontit për Evropën dhe thurin plane (edhe më ogurzeza), që shqiptarët t’i sundojnë edhe për ca kohë, mundësisht përjetësisht.
Dhe, shqiptarët i falin, madje disa i duartrokasin, i mbështesin, u thurin lavde, i lartësojnë e i ngrenë në qiell. Harrojnë vrasjet, rrahjet, poshtërimet e denigrimet, urrejtjen e shkaktuar po nga këta, inatet, armiqësinë me të afërmin, prishjet e familjeve, shkatërrimin e jetës së tyre, mbetjen pa punë dhe vuajtjen për një kore bukë.
Asnjë falje nuk e kërkuan për dëmin në vazhdimësi, asnjë falje për ata viktima në emër të “kauzave” të tyre, asnjë kërkim-falje për dëbimin e gjithë atyre të rinjve, asnjë pendesë për veprat e tyre makabre, por ende kanë fytyrë të dalin e të zgërdhihen para shqiptarëve…
Vërtet kohë të egra për dashuri, unitet, liri dhe demokraci.