Kryetari i Këshillit Kombëtar në Venezuelë, opozitari Julio Borges, ka thënë se 3 milionë njerëz në këtë shtet kërkojnë nëpër mbeturina për plotësimin e nevojave të tyre për ushqim, raporton AA.

“Kjo nuk është një metaforë. Sipas anketave 3 milionë njerëz në Venezuelë kërkojnë nëpër mbeturina për plotësimin nevojave të tyre për ushqim. Kjo gjendje paraqet problem edhe për shtetet e tjera të rajonit”, ka deklaruar Julio Borges gjatë vizitës së tij në Republikën Domenikane.

Borges thotë se për shkak të përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Venezuelë, shumica e qytetarëve kanë emigruar në shtete të tjera siç janë Brazili, Kili, Kolumbia, Panamaja dhe Republika Domenikane.

“Kjo është një dramë e një populli që detyrohet të ik nga shteti i tij i pasur me ar, diamant dhe naftë, për shkak të urisë, mungesës së barnave dhe për shkak të qeverisjes së keqe”, tha ai.

Borges gjithashtu tha se Gjykata e Lartë e Venezuelës, ka anuluar të gjithë kompetencat e Këshillit Kombëtar. “Gjykata e Lartë brenda një viti ka marrë vendime kundër Këshillit Kombëtar. Nuk patëm mundësi të sjellim asnjë ligj. Ministria e Punës dhe Prokuroria e Përgjithshme ndërhyn në çdo punim të këshillit”, u shpreh Borges.

“Një qeveri, duhet të formojë një dialog me kuvendin e tij duke treguar tolerancë politike. Duhet të kemi një konsensus në aspektin politik. Nuk mund të ketë unitet kombëtar në një kuvend ku nuk përfaqësohet populli”, vlerësoi Borges duke nënvizuar se punëtorët dhe deputetët nuk kanë marr paga që nga muaji gusht të vitit të kaluar për shkak të ndërhyrjes së qeverisë.

Qytetarët e Venezuelës, shtet i cili posedon pasuri të naftës, vazhdojnë të luftojnë me krizën ekonomike, ndërsa popullata përjeton vështirësi për shkak të mungesës së energjisë elektrike me orë të tëra si dhe mungesës së produkteve elementare të ushqimit. Qeveria e këtij shteti, e cila përballet me mungesën e parave të gatshme, nuk ka shpallur shkallën e inflacionit.