Edhe pas 1 viti e gjysmë nga vërshimet që kanë përfshirë rajonin e Shkupit, gjegjësisht komunën e Gazibabës, Haraçinës dhe Butelit, qytetarët vazhdojnë të enden nëpër institucione për të kërkuar kompensimin e dëmeve pasi janë ndarë të pakënaqur nga vlerësimi fillestar. Për të dytën ditë me radhë ata kanë filluar të plotësojnë ankesa në Zyrën për Ekspertiza Gjyqësore me shpresë se do të fillojë ndonjë iniciativë për rivlerësim apo plotësim të pagesës së dëmit.

“Për vërshimet na kanë dërguar të mbushim disa letra kinse na japin para. Kemi marrë pak atëherë në fillim. Më shumë kanë marrë para ata që nuk janë prekur nga vërshimet se sa ata që janë prekur prej tyre. Thanë që japin para dhe u dashka të japim numrin dhe letërnjoftimin, pastaj do të na kërkojnë ata vetë”,- u shpreh një qytetar.

“Është bërë vlerësimi, por nuk është paguar, ndoshta 5 deri në 10 për qind është paguar, por ka nga ata që nuk kanë marrë asnjë gjë. Nuk ka nevojë të na endin ne lart e poshtë”,- tha një qytetar.

“Dëgjova dje se duhet plotësuar disa kërkesa për vërshimet, mirëpo erdhëm këtu, nga këtu na drejtuan në qeveri. Sa është e arsyeshme dhe sa do të realizohet nuk e di, mirëpo unë nuk kam marrë asnjë denarë nga kompensimi i dëmeve që janë dhënë. Gati dy vjet bëhen dhe nuk kam marrë asnjë send edhe unë edhe vëllezërit e mi nuk kemi marrë asnjë gjë”,- theksoi një qytetar.

Nga Zyra për Ekspertiza Gjyqësore thonë se detyra e tyre ka përfunduar me dorëzimin e vlerësimeve të para të dëmit.

“Kemi bërë vlerësim në të gjitha territoret e prekura nga vërshimet në komunën e Gazibabës dhe i kemi dorëzuar ato tek Komisioni për dëme. Vlerësimet që ne i kemi bërë në terren, përfshirë të gjitha rajonet e prekura në komunën e Gazibabës arrin vlerën e 450 milion denarëve. Nuk është kthyer asnjë qytetar, nga ana jonë u është lejuar që të plotësojnë ankesat dhe këto ankesa do të jenë të dorëzuara në Komisionin për vlerësimin e dëmeve, e cila do t’i rishikojë dhe do të japë instruksionet e radhës”,- deklaroi Lubomir Atanasovski nga Zyra për Ekspertiza Gjyqësore.

Si pasojë e vërshimeve të vitit 2016, përveç dëmeve të shumta materiale, humbën jetën edhe 23 persona.