Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, pas publikimit të propozim-aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special pranë Prokurorisë Speciale në Hagë ndaj tij dhe presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se Serbia ka bërë krime dhe jo shqiptarët.

Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ai që ka qenë luftëtar, nuk mërzitet sepse e di pse ka luftuar. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e shenjtë dhe luftëtarët e lirisë kanë mbrojtur popullin, familjet, shtëpitë dhe nderin e tyre”.

“Prej ditës së parë kam qenë në UÇK dhe do t’i shërbej kombit tim deri në fund. Serbia ka bërë krime dhe jo shqiptarët. Po të jetë nevoja, do ta mbrojmë me fakte edhe njëherë luftën e drejtë çlirimtare ndaj akuzave të pabazuara”, ka shkruar Veseli, përcjell Telegrafi.

“Historia e Kosovës një herë është shkruar dhe populli ynë ka qenë i rreshtuar drejt. Kurrë askush nuk mund ta ndryshojë atë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, ka shkruar Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.