Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i është përgjigjur Përfaqësuesit Special të SHBA-së, Richard Grenell për bisedimet Kosovë-Serbi, i cili sot gjatë ditës ka shkruar në Twitter se kërkesa për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe është kërkesë e SHBA-së.

Veseli e ka quajtur gënjeshtar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se plani i tij për çështjen e taksës është i qartë qysh nga janari i vitit 2019.

“Zotëri Ambasador, Albini është gënjeshtar. Propozimi im për taksën është shumë i qartë qysh prej janarit 2019. Albini nuk e ka mbështetur dhe ka bërë fushatë kundër tij. Unë jam i shqetësuar me nxitimin e qeverisë së re për t’u marrë me këtë çështje pa një plan konkret, i cili e vendos interesin më të mirë të Kosovës në rend të parë”, ka shkruar Veseli.

Ndërkaq, reagimi i Grenellit erdhi pasi Veseli më herët kishte ngritur zërin ndaj paralajmërimeve të Kurtit se do ta heqë së shpejti tarifën ndaj mallrave serbe, duke e zëvendësuar me reciprocitet.

“Shpreh shqetësimin për ngutin e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën”, kishte shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.