Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, asnjë parti tjetër nuk ka të drejtë të formojë qeverinë.

Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova, dhe me Kushtetutën aktuale, nuk ka gjasa që ndonjë parti tjetër të propozojë emrin e mandatarit apo të formojë qeverinë me partitë e tjera, përveç Vetëvendosjes.

Kështu thonë njohësit e çështjeve të kushtetutës.

Profesori Mazllum Baraliu, për arbresh.info tregon në detaje rrugën e formimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës.

Sipas tij, Kosova aktualisht është në një situatë juridike që duhet të kërkohet zgjidhje në mënyra të tjera e jo në këto mënyra që po fliten në publik.

Po ashtu, Baraliu thotë se Kushtetua s’jep detaje se çka ndodh në rast se mandatari i parë se bën propozimin brenda 15 ditëve.

“ Në ketë situatë që jemi, nuk ka gjasa për arsye se Kushtetuta thotë se duhet të bëhen konsulta më partin fitues, kjo s’ka ndodhur zyrtarisht ende, kemi një vakum institucional aktualisht dhe duhet të presim që ashtu siç është dhënë premtimi që të bëhet marrëveshja. Pa u marr vesh këta dhe pa e dërgua Presidenti propozimin për mandatin e në kuvendë prej asaj dite fillon afati 15 ditorë dhe s’ka afat 10 ditor pastaj më be partia tjetër. Jemi në një situatë juridike që duhet të kërkohet zgjedhja në një mënyrë tjetër dhe jo në këtë. Ne jemi në një situatë status quo ,pasi që Kushtetua s’jep detaje se çka ndodh në rast se mandatari i parë s’e bënë propozimin brenda 15 ditëve”, tha Baraliu.

Duke hedhur poshtë çdo mundësi që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mund të bëjë një koalicion me partitë tjera në rast se VV-ja dështon, Baraliu bën të ditur se zgjidhja e vetme e bllokadës shtetërore, është shkuarja në zgjedhje të reja.

“Ka mundësi tjera, është Kuvendi i konstituar dhe ka mundësi që Kuvendi i Kosovës me një marrëveshje ta shpërbejë vetveten dhe të shkojë në zgjedhje”, pohoi Baraliu për arbresh.info.

Burjani: LDK-ja nuk ka asnjë mundësi tjetër për formimin e qeverisë, përveç VV-së

Se me Kushtetutë nuk ka gjasa që partia e dytë në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-ja të bëjë një marrëveshje me partitë tjera për formimin e qeverisë, e thotë edhe njohësi i Kushtetutës, Blerim Burjani.

Sipas tij, një hap i tillë është kundër kushtetues.

“Kjo është kundër-kushtetuese, partia fituese është e vetmja që i jepet mundësia e marrjes së postit të kryeministrit ose me marrëveshje VV mund t’ ia jap ndonjë partie tjetër. VV e provon herën e parë me një të nominuar për mandatar edhe herën e dytë me një kandidat tjetër, nëse nuk arrin edhe herën e dytë ta zgjedhë, atëherë shteti shkon në zgjedhje”, tha Burjani.

Se oferta e re i është bërë LDK-së të hënën në mbrëmje këtë e kanë konfirmuar për arbresh.info, zyrtarë të LDK-së.

Zëdhënës i LDK-së, Besian Mustafa, të martën, tha se kjo ofertë është shumë e ngjashme me atë të së enjtes së kaluar.

Ai, bëri të ditur se LDK-ja gjatë ditëve në vazhdim do ta shqyrtojë këtë ofertë.

“Dje nga Lëvizja Vetëvendosje kemi pranuar një propozim shumë të ngjashëm me atë të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do t’i shqyrtojmë gjatë ditëve në vazhdim”, u shpreh Mustafa.

Ndryshe, dy liderët e partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, VV dhe LDK nuk janë takuar që nga e fundi i javës së kaluara.

Shkak i mos arritjes së një marrëveshjeje deri tani për qeverisje prej tre muajsh, është ndarja e pushtetit dhe dikastereve të ndryshme.

E derisa partia e Isa Mustafës ka insistuar në kryeparlamentarin, që do të çonte diskutimet në pikën zero, Albin Kurti i ka ofruar një ministri më tepër LDK-së. Sipas kësaj marrëveshje, numri i ministrive do të shkonte në 14.

Deri më tash të dy partitë janë shprehur të rezervuara rreth asaj se kur do të mund të arrijnë një marrëveshje.

Nga ana e LDK-së kanë thënë se presin që gjatë këtyre ditëve t’i kthejnë një përgjigje Kurtit për marrëveshjen e fundit, zyrtarë të VV-së, thonë të jenë duke pritur LDK-në.

Derisa këto parti hedhin topin tekë njëra tjetra , është presidentit i vendit Hashim Thaçi ai që po kërkon me ngulm një emër për mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese.

Krejt ky bllokim ka nxitur që në opinion të bëhen kalkulime të shumta e të gjenden edhe zgjedhje madje duke lënë jashtë lojë Vetëvendosjen dhe duke i dhënë primatin LDK-së që të formojë Qeverinë./V.Selimi