Buxhetin e vitit 2018, e kanë kritikuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ata kanë thënë se buxheti ka defekte të mëdha ku nuk premtohet zhvillim ekonomik.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur Visar Ymeri i cili ka thënë se draft buxheti i vitit 2018, nuk ndryshon me atë të buxhetit paraprak. Ai ka treguar e VV-ja nuk do ta votojë buxhetin.

“Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij lloj buxhetimi është kundër këtij projeksioneve mashtruese sa i përket zhvillimeve ekonomike në vend dhe mendojmë se përfundimisht duhet të ndalet kjo logjikë qeverisëse që po e dëmton rëndë potencialin ekomomik”, tha Ymeri.

‘Edhe në vitin e kaluar në prezantimin e draft-buxhetit flitej me optimizëm për rritje ekonomike dhe promovohej me të madhe buxheti 2 miliardësh. E më vonë është korrigjuar deri diku kjo papërgjegjshmëri e qeverisjes së kaluar’, shtoi Ymeri.

Sipas Ymerit, të hyrat e parashikuara janë të fryra dhe joreale, kurse shpenzimet pritet të mbulohen nga borxhet.

“Deficiti buxhetor në vitin e kaluar ishte 300 milionë euro, ndërkohë që në këtë buxhet është 277 milionë euro’, tha Ymeri.

E gjithë rritja e projektuar sipas Ymerit është në tatimin në vlerë të shtuar të grumbulluar nga Doganat dhe detyrimet doganore me çka edhe më tej rritet varësia buxhetore nga importi i mallrave.

Ndërkaq, Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se pas analizave, struktura e buxhetit aktual dekradon dhe e kthen situatën para vitit 2015.
Sipas tij, buxheti është hartuar me motive politike.

“Ky është buxheti me rritjen me të vogël të të hyrave, ku rritja e të hyrave është vetëm 6 për qind”, tha Hoti.

Po ashtu i tha se mungon rritja e të hyrave nga tantiemat, duke shtuar se edhe eksportet nuk do të kenë rritje. “Shpenzimet shpërfaqen të gjitha dobësitë e këtij buxheti, ku ka edhe mungesë të një vizioni për orientim të ekonomisë”, tha Hoti i LDK-së.

Sipas tij, buxheti për mallra dhe shpenzime është rritur me 17 për qind.