Vetëvendosje: Po degradohet lufta çlirimtare e UÇK-së

Lëvizja Vetëvendosje vendimet e Gjykatës së Apelit në rastin “Drenica” i ka quajtur skandaloze dhe pjesë e fushatës denigruese ndaj UÇK-së.

Sipas VV-së kjo fushatë ka për qëllim përfundimtar përgatitjen e kushteve për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Kjo vjen pikërisht nga EULEX-i, i cili nuk e njeh as luftën çlirimtare dhe as pavarësinë e Kosovës dhe, njëkohësisht, nuk i jep llogari as institucioneve të shtetit e as qytetarëve të Republikës sonë”, thuhet në një komunikatë për media.

Përpjekjet e tilla për njollosjen dhe kriminalizimin e luftës së popullit të Kosovës për liri e çlirim, janë të pashkëputshme nga përpjekjet për rehabilitimin e krimeve të organizuara dhe sistematike që kreu Serbia në Kosovë.

“Gjykata Speciale që do të ketë mandat për ta gjykuar UÇK-në edhe për gjenocid, është krijesë e iniciuar nga Serbia dhe e pranuar nga qeveria jonë servile, në funksion të ndryshimit të së vërtetës historike për krimet e Serbisë ndaj popullit tonë dhe për luftën tonë çlirimtare”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje dënon ashpër vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit dhe çdo veprim të tillë që ka synim njollosjen, degradimin dhe kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare.

“ Ne insistojmë që të gjitha rastet individuale të krimeve që mund të kenë ndodhur, duhet të trajtohen nga gjykatat tona vendore ashtu siç trajtohen të gjitha krimet ordinere, dhe në asnjë mënyrë të krijojmë gjykata ndërkombëtare që kanë synim ndërkombëtarizimin e tregimit të rrejshëm të Serbisë mbi gjoja pa pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim./KosovaPress