Retorikë boshe, premtime të përsëritura disa herë të cilat asnjëherë nuk janë përmbushur. Kështu analistët politik i vlerësojnë takimet me e fundit me elektoratin të dy partive parlamentare shqiptare, BDI dhe PDSH. Sipas Ramadan Ramadani, gjendja aktuale në të cilën jetojnë shqiptarët demaskon vetë premtimet dhe retorikën parazgjedhore.

“Sipas krejt nishaneve, kjo është edhe një fushatë boshe dhe parapolitike e këtyre dy subjekteve., Në vend të kësaj do ishte mirë që ata ta bëjnë një hesap, veçanërisht krerët e këtyre dy partive, për atë se ku ata vetë kanë qenë personalisht para aq viteve dhe ku e kanë popullin e vetë. Ta matin edhe në aspekt të varfërisë edhe në aspekt të profesioneve, se si disa sharaxhi, muratorë, azilant e të tjerë kanë arritur në këtë gjendje stabile të tyre dhe si e kanë degraduar popullin e tyre që të merret me fushatën e gojës dhe me mëgrim”, tha analisti Ramadan Ramadani.

Ndërkaq, sipas Xhabir Ametit, problematike është në radhë të parë vetë hapja e fushatës shumë kohë para datës zyrtare. Ai thotë se të dy partitë kanë pasur kohë të mjaftueshme për ti realizuar premtimet të cilat I përsërisin nga një fshatë në tjetrën.

“Të gjithë jemi të njohur me këto premtime, i dimë dhe mund të them se gati asgjë nuk është realizuar fatkeqësisht. Kanë pasur hapësirë, veçanërisht partia që është në pushtet ka pasur hapësirë dhe mbështetjen e popullit për ti realizuar së paku një pjesë të atyre premtimeve”, tha analisti Xhabir Ahmeti.

Ramadan Ramadani thotë se pamjet e fundit nga takimet e BDI-së dhe PDSH-së me qytetarët dëshmojnë se ata kësaj radhe nuk do të bien pre e retorikës boshe.

“Nëse e bëjnë atë llogari është mirë që shqiptarëve mos t’ju dalin para syve e ku më tu dalin ën kuti ku ata do të kenë mundësinë ti ndëshkojnë. Besoj se popullata këtë herë do ti ndëshkojë. Besoj se popullata këtë herë do të ndryshojë, sidomos inkurajon fakti se këtë herë lista zgjedhore do të jetë më e pastruar se herëve tjera. Nëse herëve tjera ka pasur vota të të vdekurve dhe të lugatave, këtë herë ata do të ketë vota të njerëzve të vërtetë dhe shqiptarëve”, theksoi Ramadani.

Shumë kohë më parë BDI hapi shtabin qendror zgjedhorë ndërsa për çdo javë realizon takime me anëtarësinë dhe hap shtabe lokale. Ndërkaq PDSH ka filluar fushatën e ashtuquajtur “ndëgjesa publike”./shenj