Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka publikuar së fundmi dy video, një nga Tepelena e një nga Gjirokastra, në të cilat shfaqen numëruesit duke deformuar votën e qytetarëve.

Mungesa e reagimit nga të gjitha palët e mundshme pas publikimit të këtyre videove, për kandidatin e pavarur të VV për Tiranën që nuk arriti të siguronte mandatin e deputetit, Boiken Abazi, tregon se në vend kemi një liberalizim të krimit.

Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, Abazi u shpreh se pamjet dhe shumë indikatorë të tjerë tregojnë se manipulimi ka nisur që përpara dhe gjatë fushatës, e më pas në ditën e zgjedhjeve e në numërim.

“Kemi të bëjmë një bashkëpunim mes komisionerëve dhe anëtarëve të numërimit. Të hënën më 26 prill kemi bërë publike pretendimet tona për manipulim. Keqpërdorimet kanë ndodhur para fushate, gjatë fushatës. Këto zgjedhje nuk kanë qenë as të lira e as të ndershme dhe askush nuk ka vepruar edhe me denoncimet. Videot janë pamje filmike zyrtare të KQZ-së.”

Duke komentuar videot e publikuara, Abazi thotë se personat që shfaqen duke manipuluar votën, i kanë shpatullat e ngrohta pasi ndryshe nuk do të kishin vepruar aq të lirë.

“Kanë kaluar shumë ditë, javë. Nuk është marrë asnjë masë. Ata që janë kapur në flagrancë ndoshta sot kanë marrë e shpërblim për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Në video duket se ndihen shumë të lirë. Kjo nuk mund të bëhej pa bashkëpunim.”

Boiken Abazi vuri theksin tek heshtja, që sipas tij ka pllakosur pas publikimit të videove. Sipas tij, minimalisht partitë duhet të ishin distancuar.

“Kjo databaza e patronazhimit tregon që kemi një demokraci të kontrolluar nga mafia. Në këto 30 vite, një kalim nga diktatura te liberalizimi i krimit. Ajo databaza është simptomë e patronazhimit strukturor kriminal në Shqipëri… Heshtja që ka pllakosur që prej se në kemi shpërndarë këto video, partitë, SPAK…Kjo tregon se kjo shkon deri lart, ata e kanë mbrojtjen nderi lart. Nëse këta nuk bëhen shembuj, pse të dalin njerëzit të votojnë?”

Abazi nuk lë pa përmendur as ndërkombëtaret.

“Edhe komuniteti ndërkombëtare po hesht. Me demek ata luajnë arbitrin. Pse nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë nga asnjë ambasadë?”

Për këtë situatë, Boiken Abazi thotë se është i nevojshëm një organizim i një lëvizjeje të gjerë popullore, por e bëri të qartë se nuk LVV nuk do t’i bashkohet asnjë nisme të opozitës.

“Ata që po thonë sot që sistemi është hajduti është më i madh, por nuk kanë bërë asnjë denoncim, nuk janë duke ndjekur rrugën e duhur. Ne do vazhdojmë të ndjekim të vërtetën.” sb/abcnews.al/