Ka ardhur edhe reagimi i kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndaj akuzave që Dega e PDK-së në Prishtinë ka bërë sot me një konferencë për media, në drejtim të udhëheqësish së tij në kryeqytet.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, sot ka vazhduar me denoncimin publik të asaj që kjo parti e quan “klientelizëm familjar dhe partiak” në Komunën e Prishtinës, e cila qeveriset nga Shpend Ahmeti, “ku miliona euro u janë dhënë përmes tenderëve kompanive të afërta me Vetëvendosjen”.

Ahmeti ka numëruar arsyetimet për secilin nga pretendimet e Vetëvendosjes, teksa ka thënë se “‘Klani Pronto’ po tregon se është klan i papërmirësueshëm i zhvatësve, mjegullkrijuesve dhe shpifësve”.

Ahmeti ka ftuar prokurorinë për të hetuar, siç ka thënë ai, secilën hajgare të PDK-së sot, teksa ka shtuar se i fton “prokurorët t’i hetojnë ata për denoncim të rrejshëm”.

“Padinë në gjykatën civile e kanë të garantuar, jo vetëm nga unë”, ka thënë Ahmeti.

“Edhe në humbje ka dinjitet. PDK duhet ta pranojë anone faktin se janë tashmë subjekti i tretë në Kosovë, 13 deputetë pas VV se për Prishtinë as që po flas”, ka thënë Ahmeti.

Ky është reagimi i plotë i Ahmetit:

Dëgjova qe PDK paska shpif prapë dhe atë në përberjen Blerand, Arbana dhe Shemsi. Për kredibilitetin e tyre nuk po flas sepse tashmë publiku është njoftuar.

Për hir të përkrahësëve të shumtë të LVV-së, fituesit të zgjedhjeve të 11 qershorit, po e shkruaj këtë shpjegim në shpifjet amatoreske të partisë që tanimë shpifjen dhe rrenën po e kthen në standard. Kjo njëherit është hera e fundit që përgjigjem në shpifje të tilla.

1. Ilir Gjinolli, profesor në fakultetin e arkitekturës, dhe ndër arkitektët më të respektuar në Kosovë, NUK ka marrë asnjë tender gjatë mandatit tim edhe pse nuk do të kishte asnjë të keqe edhe po të ishte sepse unë as nuk e kam ba as arkitekt e as profesor.

2. Jusuf Ulaj, profesor doktor, NUK ka marrë asnjë tender në Komunën e Prishtinës. Që ka biznese mirë për të, por unë Dr. Jusufin nuk e kam bo doktor e as anëtar e besa as nuk i tregoj se ku dhe në çka me investu.

3. Kreshnik Rracin dhe Driton Tefikun e di sa janë djem të Prishtinës dhe se janë arkitektë. Nuk e mbaj në mend a i kam taku një herë gjatë 10 viteve të fundit. Në mandatin tim asnjëri NUK kanë marrë asnjë tender nga Komuna e Prishtinës, edhe pse nuk shoh asgjë të keqe. Një foto e tyre e facebookut me Visar Berishën si dëshmi për lidhje inekzistente është hajgare edhe për standardet qesharake të PDK.

4. Nol Binakaj ka qenë kandidat i LVV për asamble në Prishtinë. Është arkitekt i zoti dhe vitin e kaluar është martuar me motrën e Yllit dhe as ai NUK ka marrë asnjë tender nga Komuna e Prishtinës, bile na ka ndihmu në shumë gjana.

5. Foto e Milot Sejdiut gjoja me Hamdi Binakaj – arkitekt është foto e Milot Sejdiut me aktorin Rade Serbedzija. Tmerr në çfarë niveli kanë ra.

6. Unë kam qenë 9 vjet ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë dhe gjatë kohës atje kam përcjellë përafërsisht 1000 studentë, të cilët sot janë të suksesshëm në sfera të ndryshme e posaçërisht në biznes. Nuk e di për cilin ish-student e kanë fjalën për tender por nuk e di që është e ndaluar që këta 1000 studentë të aplikojnë për tenderë në cilindo institucion.

Krejt në fund, “Klani Pronto” po tregon se është klan i papërmirësueshëm i zhvatësve, mjegullkrijuesve dhe shpifësve. E ftoj prokurorinë për të hetuar secilën hajgare të tyre sot, por i ftoj edhe t’i hetojnë ata për denoncim të rrejshëm. Padinë në gjykatën civile e kanë të garantuar, jo vetëm nga unë.

Edhe në humbje ka dinjitet. PDK duhet ta pranojë anone faktin se janë tashmë subjekti i tretë në Kosovë, 13 deputetë pas VV se për Prishtinë as që po flas.

© KOHA.