BDI, e ushqyer dhe e mbajtur me vite nga lojërat e fatit dhe kazinotë, sot po mundohet të manipulojë me tema që vetë i ka prodhuar për vite me radhë. Ironia është brutale. Ata që për vite e kthyen industrinë e lojërave të fatit në arkë politike, sot sillen sikur nuk dinë gjë. Absurd që nuk pi ujë.
E vërteta është e thjeshtë. Kur BDI flet për kazino, në prapavijë flet kutia e zezë e Artan Grubit. Ajo kuti për vite me radhë e mbajti këtë sektor nën kontroll përmes dorës së tij të djathtë, të arratisurit Përparim Bajrami, e licencoi, e menaxhoi dhe e ktheu në mekanizëm për ndikim politik, presione dhe interesa të ngushta. Sot BDI nuk po zbulon problem, por po pengohet në gjurmët e veta.
Nëse BDI dëshiron të flasë për licencat, adresën e ka shumë të qartë. Le ta kërkojë te Artan Grubi dhe te arkiva e vet politike, aty ku për vite me radhë është vizatuar harta e kazinove në shtet.
Kutia e zezë e Artan Grubit nuk është mbyllur. Ajo do të flasë. Dhe kur të flasë, do të bëhet e qartë se kush, ndër të tjera, e ndërtoi perandorinë e kazinove.

