Me 71 vota për, Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Kosovës. Pas kësaj, reagime dhe urime të shumta janë vërshuar në rrjetet sociale.

Ish-zyrtarja e PDK-së, Vlora Citaku ka thënë se Kosova për herë të dytë po zgjedh për presidente një grua.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjodhi zonjën Vjosa Osmani Sadriu Presidente të Republikës. Si qytetare e Kosovës, i uroj Presidentes së posazgjedhur Znj. Vjosa Osmani sukses dhe mbarësi! Si demokraci e re, fakti që për herë të dytë brenda 13 vitesh zgjedhim një grua në krye të shtetit duhet parë si shenjë emancipimi.
“E tash, Kosova ka para vetes shumë sfida të cilat kërkojnë koncensus, bashkërendim dhe maturi. Është momenti i fundit që të eliminojmë polarizimet e rrezikshme dhe urrejtjen patologjike e cila tash e shumë vite dominon në skenën tonë politike! Ju priftë e mbara!”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ndërsa në fund të urimit të saj, me gjasë duke u frikuar se ky urim mund t’i nënkuptohet si përafrim me partitë në pushtet, Çitaku ka theksuar se nuk është duke aderuar askund.