VMRO-DPMNE nëpërmjet një komunikate tërësisht ka kundërshtuar veprimet e fundit të BDI-së, të cilat i ka cilësuar si përpjekje për të injoruar vullnetin e shumicës së maqedonasve, por edhe të pjesëtarëve të bashkësive tjera etnike pjesë e koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”.

Në kumtesën e VMRO-së, thuhet se realizimi i platformës nga Tirana dhe përpjekjet për imponimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, paraqesin një ridefinim të Republikës së Maqedonisë dhe janë në kundërshtim me karakterin multi-etnik të shtetit.

Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së thekson se në mënyrë të pakthyeshme është prishur rregulli i koalicionimit të partive fituese në bllokun maqedonas dhe shqiptar, pa marrë parasysh nëse BDI do të vendosë për koalicion me LSDM-në, ose vetëm të japë mbështetje për formimin e një qeverie të pakicës.

Nga VMRO thonë se pjesë të projekt-ligjit për gjuhët që u paraqitën në media, janë plotësisht të papranueshme për këtë parti, duke shtuar se deputetët e zgjedhur do t’i kundërvihen miratimit të këtij ligji. /SHENJA/