VMRO-DPMNE-ja kërkon që të amnistohen dhunuesit e 27 prillit, ndërkaq LSDM-ja, e hedh poshtë një mundësi të tillë, njofton Portalb.mk.

Partia opozitare VMRO-DPMNE, sot në Kuvend dorëzoi propozim-ligj për amnisti për të gjithë personat të cilët janë përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.

“VMRO-DPMNE e ka dorëzuar propozim-ligjin për amnistim të personave të cilët dyshohen, akuzohen ose që janë dënuar për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar. Propozim ligji është dorëzuar me procedurë të shkurtuar dhe presim që deputetët nga pushteti në mënyrë të përfshihen në debat dhe të dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për premtim të rrejshëm për drejtësi dhe pajtim nacional, të cilën vetë e kanë demantuar disa ditë pasi që është theksuar”, tha në konferencë për shtyp deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.

Me ligjin për amnisti parashihet dhe rregullohet mënyra e lirimit nga ndjekja penale, ndalja e hetimeve dhe lirimi i plotë nga mbajtja e burgut.

I njëjti parasheh që të amnistohen të gjithë personat që janë të dyshuar, akuzuar apo dënuar për veprat penale:

Pjesëmarrje në turmë e cila do ta ndalojë personin zyrtar ta kryej detyrën zyrtare
Dhunë
Pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale
Rrezikim terrorist të sigurisë dhe rendit kushtetues
Ashtu siç thanë nga VMRO-DPMNE, qëllimi është pajtimi nacional dhe e njëjta nuk i kushton asgjë shtetit në aspektin financiar. Sipas asaj që tha Danev, nuk dihet se sa persona duhet të amnistohen.

Ngjarja e 27 prillit është ndodhia më e errët që nga pavarësimi i shtetit, e cila u dënua nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar dhe u bë thirrje që e njëjta të zbardhet dhe kryerësit dhe porositësit të dënohen. Amnistimi eventual i dhunuesve të 27 prillit, është në kundërshtim me thirrjet e ndërkombëtarëve të cilët vazhdimisht, edhe në raporte, por edhe nëpër ngjarje të ndryshme publike kanë bërë thirrje për drejtësi.