Ekonomia e Maqedonisë gjendet në fund të listës në Evropë për shkak të politikave katastrofale të ekonomisë të cilat i udhëheq Qeveria e LSDM-së, citohet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së duke shtuar se kjo qeveri është e fokusuar në shkatërrim, prishjen e
përmendoreve, arrestimin e kundërshtarëve, ndërsa ekonomia nuk është as në plan të dytë, por
është jashtëzakonisht e margjinalizuar.

“Në kushte kur e gjithë Evropa shënon normë të lartë rritjeje të BPV-së, ekonomia e Maqedonisë shënon rënie. Rënie ka në aktivitetet: informacione dhe komunikim, shërbime financiare, administratë publike dhe mbrojtje, aktivitete në lidhje me pasuri të patundshme, përveç aktiviteteve tregti dhe bujqësi”, citohet në njoftimin e partisë.

Sipas VMRO-DPMNE-së Qeveria në vend se promovojë masa me të cilët direkt do t’i ndihmojë ekonomisë, me masat sipërfaqësore dhe populizëm të zhveshur, blen kohë për të mbetur në pushtet.

“Populizmi i Zaevit u rrëzua para fakteve dhe shifrave, të publikuara nga Enti Shtetëror Statistikor. Pamundësinë për të ofruar rritje ekonomike, Qeveria e mbulon përmes kalkulimeve me kundërshtarët politikë”, citohet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE apelon për ndalje të persekutimit politik dhe Prokuroria duhet të ndalë krijimin e akuzave të montuara dhe të punojë në shkatërrimin e krimit të vërtetë i cili ka përkeqësuar situatën e sigurisë në vend.

“Gjyqësia duhet të lirohet nga kufizimet e pushtetit dhe të ndalë veprimet sipas direktivave të partisë. Ekonomia e Maqedonisë është në rënie të lirë dhe Qeveria menjëherë duhet të fillojë të përmirësojë klimën ekonomike në vend. Sa më shpejt të ikë ky pushtet i paaftë, aq më shpejt ekonomia do të fillojë të rritet dhe do të kthehet drejtësia në vend”, citohet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.