https://youtu.be/fCcO5zFqs5Y?t=184

VMRO DPMNE po e pranon realitetin, dhe po mësohet se është krijuar shumicë e re parlamentare. Madje deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshoski, thotë që pranon çdo propozim të shumicës, vetëm që zgjedhjet lokale të mbahen sa më shpejtë.

Milloshovski, propozoi 2 korrikun, 24 shtatorin dhe 15 tetorin si data të mundshme për zgjedhjet lokale. Sipas asaj që thotë deputeti I VMRO DPMNE-së, pakica po heq dorë nga opsioni që zgjedhjet lokale të mbahet së bashku me ato parlamentare. Problemi tjetër në rrugën drejt shpalljes së zgjedhjeve është fakti se seancën eventuale për shpalljen e zgjedhjeve lokale, do të duhej ta udhëheq, Talat Xhaferi, të cilin VMRO DPMNE nuk e pranon si kryetar të kuvendit.

G: Një seancë e tillë eventuale, ku do të ishin shpallë zgjedhjet, do të duhej ta udhëhiqte Talat Xhaferi… A do të merrnit ju pjesë në një seancë të tillë, dhe a janë për ju të pranueshme zgjedhje vetëm zgjedhje lokale, pa ato parlamentare?
“Më lejoni të them se oferta jonë për zgjedhje ballafaqim në zgjedhje parlamentare, gjithashtu qëndron, nëse shumica parlamentare është e gatshme. Por ajo nuk do të thotë se zgjedhjet lokale duhet të anulohen deri në pafundësi nëse dikush nuk është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Talat Xhaferin e pranojmë si deputet, me mandat të verifikuar. Por zgjedhje e ashtuquajtur e tij për kryetar të kuvendit, është ilegal. Nuk mundet që asnjë situatë e re politike, apo nevojë për zgjedhje lokale të jetë kompensim për pranimin e një vendimi që nuk është legal”, u shpreh Antonio Milloshoski, nga VMRO-DPMNE.

LSDM nuk ka problem me shpalljen e zgjedhjeve lokale, por kryetari i kësaj partie thotë se para se të shpallen janë disa parakushte që duhet të plotësohen.

“Është logjike që të thirret seancë e kuvendit, por fillimisht duhet të pajtohet grupet e deputeteve, me shumë gjasa, për dy komisionet që janë të patjetërsueshme… Ajo është komisioni juridiko-ligjor dhe për sistem politik, bile edhe për ligj për procedurë të shpejtë i cili është shumë i thjeshtë, aty qëndron pjesa e parë e majit, vetëm atë muaj duhet ta ndryshojmë me shtator, tetor apo cilën do datë”, tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Shqetësim serioz për bllokim total të komunave pas 15 majit, ka shprehur ministrja e vetëqeverisjes lokale, Shiret Elezi. Ajo paralajmëron se ndërmarrjet publike, çerdhet, institucionet kulturore, zjarrfikësit, do të përballen me ngecje të punës, ndërsa problem kryesor do të jetë pagesa e rrogave.

“Probleme më të shpejta me të cilat do të ballafaqohen qytetarët janë lejet e ndërtimit, mos marrja e pagave në administratën e vetëqeverisjes lokale, në arsim, në transportin e nxënësve, në ndërmarrjet publike, në aktivitetet komunale, përkatësisht, probleme në mbledhjen e mbeturinave, në ujësjellës, si dhe në ndriçimin rrugor”, tha Shiret Elezi, Ministre për vetëqeverisje lokale.

Para disa ditëve, edhe Bashkësia e Njësive për Vetëqeverisje Lokale alarmoi se pas 15 majit do të ketë pasoja në funksionimit normal të komunave, për shkak se as këshilli dhe as kryetari i komunës nuk do të mundet të sjell vendimet.