VMRO-DPMNE-ja nuk do të heqë dorë nga debate në Kuvend kurse LSDM-ja për momentin nuk planifikon të aplikojë strategji tjetër për zhbllokim të seancës. Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja thotë se i vetmi kusht me të cilën partia e tij do të pranonte zgjedhjen e kryetarit të ri është shpallja e menjëhershme e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe të rregullta lokale.
 

“Jemi të gatshëm të gjejmë mekanizëm I cili do të garantonte që Kryetari i ri i Kuvendit shpejt të nënshkruaj zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje të rregullta lokale. Do të përfshihemi në këtë proces, që t’ju mundësojmë qytetarëve të shprehen për temat që nuk kanë qenë pjesë e ofertave. Nëse pranojnë partitë tjera, ne do të jemi maksimalisht konstruktiv sepse interesat e shtetit, të qytetarëve dhe të demokracisë janë para së gjithash”, deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Zgjatjen e debatit me replika dhe kundër-replika mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së nga LSDM-ja e konsiderojnë si pengim të qëllimshëm të punës së Kuvendit. Partia e Zaevit nuk pranon zgjedhje të reja por prêt zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri i cili do të kërkojë zyrtarisht nga presidenti Gjorge Ivanov, mandatin për formimin e Qeverisë së re.

“Nuk kemi asgjë kundër debatit në Kuvend sepse secili nga deputetët ka të drejtë të debatojë. Bëhet keqpërdorim i keq I rregullores sepse deputetë të listës së njëjtë, që supozohet se nesër do të jenë në një grup parlamentar, të replikojnë dhe kundër-replikojnë njëri-tjetrin. Është në interes edhe të Gjorge Ivanovit që të tregojë vetë mençuri. Ai është njëri nga penguesit e proceseve demokratike në Maqedoni”, deklaroi Petre Shilegov, LSDM.

Gjatë gjithë javës, deputetët nuk arritën të përfundojnë seancën konstituive dhe të votojnë për Talat Xhaferrin si kryeparlamentar të ardhshëm. Seanca vazhdon të hënën por nëse nuk arrihet marrëveshje, nuk do të mund të përfundojë të paktën as pesë muajt e ardhshëm. /AlsatM/