VMRO-DPMNE prezanton “Manifestin për Maqedoninë”, kërkon 20 deputetë bonus

“Manifesti për Maqedoni të vetme” është dokumenti me të cilin VMRO DPMNE tenton të zgjidhë krizën në Maqedoni. Siç tha deputeti i kësaj partie Antonio Milloshovski ky dokument do të shërbejë për gjatë historisë kur të ketë momente krize, raporton SHENJA,

Nga kjo parti thanë se multinacionaliteti i  Maqedonisë duhet të ruhet e jo të merret si kërcënim pasi kjo është pasuria e shtetit.  VMRO e sheh manifestin si daljen e vetme nga kriza.

VMRO u zotua edhe për ekonomi të tregut, për arsim cilësor, për fqinjësi të mirë, ruajtjen e kufijve të shtetit, stablitetin e Maqedonisë që është parakusht për sigurinë e shteteve dhe stabilitetit të tjerë.

Nikolla Popovski tha nga ky dokument dalin 4 principe për sjelljen e vendimeve. Se duhet të vijë në shprehje bashkimi kombëtar rreth interesave nacionale, se dialogu duhet të zhvillohet në vend në kuadër të institucioneve dhe nga politikanët vendor.

“Të largohen agjendat e huaja. Të gjithë duhet ta ruajmë origjinalitetin e multikulturalitetit të shtetit.  Anëtarësimi në NATO dhe BE është interesi jonë dhe pika bashkuese. Maqedoninë e shohim të anëtarësuar në BE tërësisht. Duhet të formohet një rajon Evropian me qëllim të shfrytëzimit më të mirë të fondeve evropiane për infrastrukturë, pastrimin e ujërave e të tjerë”, tha Popovski.

Ai ka shtuar se Çështja e emrit që është bllokadë, mund të tejkalohet kur të fillojë procesi i negociatave. “Nuk do të lejohet ndryshimi i emrit, dhe nuk do të pranojmë ide që do të cenojnë identitetin e Maqedonisë. Nuk do të pranojmë ndryshimin e emrin pa referendum. Të gjithë bashkë kundër kërcënimeve, kundër partive ose individëve që shkaktojnë ndasi, shtoi më tej Popovski.

Popovski tha se nuk do të kërcënohet përdorimi i gjuhës së pakicave por gjuha maqedonase duhet të jetë gjuha lidhëse për të gjithë.

Gjuha maqedonase mundëson integrimin e të gjithë qytetarëve, por do të punohet edhe në promovimin e gjuhës shqipe dhe pakicave të tjera dhe në frymën e multikulturalietit në mënyrë të barabartë që të mos ketë diskriminim, theksoi Popovski.

Ndërkaq deputeti Ilija Dimovski propozoi që fituesit e zgjedhjeve, ose partia që do të fitoj shumicën e votave t’i ndahen edhe 20 deputetë shtesë. Ose si alternativ të vendose modeli zgjedhor i shumicës. /SHENJA/