Votimi i ligjeve reformuese që kërkojnë 2/3 e votave në Kuvend, varen nga bisedimet e grupeve punuese të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Partia opozitare tha se në takimet me partinë udhëheqse të koalicionit bisedohet edhe në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve por edhe për çështje tjera për të cilat këto dy oponent politik kanë qëndrime të kundërta. Sipas Sekretarit gjeneral të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev edhe kthimi opozitës në Kuvend varet nga bilanci i këtyre bisedimeve që po zhvillohen ditëve të fundit.

Grupet punuese sapo janë formuar. Përfshijnë një fushë të gjerë bisedimesh. Nga informatat që posedojë për momentin, po, tani më kanë filluar bisedimet. Për momentin, grupi parlamentar e VMRO-DPMNE-së është kthyer në Parlament vetëm për ta përmirësuar ligjin për gjuhët, pra edhe njëherë themi absolutisht jemi për sjelljen e këtij ligji mirëpo i njëjti të ketë përmbajtje kushtetuese dhe ti përfshijë të gjitha shoqëritë në vend. Se a do të vazhdojë tutje të merr pjesë grupi parlamentare e VMRO-DPMNE-së në seanca, varet nga bisedimet e grupet punuese për të cilat pyetët ju në fillim, nga të cilat varet edhe strategjia për pjesëmarrjen tonë në parlament – deklaroi Igor Janushev, Sekretar gjeneral i VMRO-DPMNE-së.

Kohë më parë zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani vlerësoi që opozita ka ende hapësirë që të reflektojë pozitivisht, duke mos e penguar miratimin e Ligjit të gjuhës.

Unë mendoj se ende ka hapësirë që opozita të jetë më e arsyeshme në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve sepse ai është proces ireverzibil, nuk ka kthim prapa në këtë proces i cili ka marrë besimin e 69 deputetëve…Mendoj se opozita ka pasur mundësi historike që ta ndryshojë sjelljen ndaj shqiptarëve, pra ndaj shoqërisë së dytë etnike në Maqedoni por edhe ndaj vetë proceseve – tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër për çështje evropiane.

Ndërkohë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë vazhdon me kontrollimin dhe grupimin e amendamenteve të dorëzuara nga VMRO-DPMNE-ja, rreth ligjit për gjuhët. Nga kabineti i kryetarit të Parlamentit nuk bëjnë të ditur se deri ku kanë arritur shërbimet me klasifikimin e mbi 36 mije amendamenteve, mirëpo theksojnë se për këtë do të mësohet ditën e hënë pas koordinimit të brendshëm.