VMRO-ja ka reaguar edhe sot për kërkesën e Prokurorisë Speciale Publike për arrestimin e liderit të kësaj partie Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të afërt të tij. Kjo parti thekson se këto veprime të Speciales pasojnë marrjen e udhëzimeve të qarta nga zyret e LSDM-së.

Sipas partisë së Gruevskit, këto veprime janë në vazhdën e skenarëve të LSDM-së që e sollën atë në pushtet.

“Qëllimi është stigmatizimi dhe shpifja ndaj njerëzve të VMRO-DPMNE-së në një proces politik, qëllimi përfundimtar i të cilit është politik dhe joligjor. Ajo që po ndodh në PSP nuk ka absolutisht asgjë të bëjë me të drejtën, por është e lidhur ekskluzivisht me interesat politike të strukturave të caktuara”.

Partia e Gruevskit vlerëson se një fushatë e tillë është e paprecedent në historinë e Maqedonisë. VMRO i bën thirrje Gjykatës së Apelit që siç vlerëson, “të mos dorëzohet para presioneve dhe kërcënimeve” dhe të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Sipas partisë ata që po i bëjnë këto presione duhet ta dinë se do të ketë drejtësi për ta dhe ajo do të vijë shpejt. /SHENJA/