Ka revoltuar familjarët e Xhemail Rexhepit- Shqiponjës anulimi i seancës së fundit gjyqësore për rastin e vrasjes së Komandant Shqiponjës në Kumanovë. Vëllai i Shqiponjës, Qahil Rexhepi, për Lajm ka thënë se nuk beson në drejtësinë e institucioneve të Maqedonisë. Sipas tij, vetëm Prokuroria Speciale Publike mund ta çojë drejtësinë në vend.

“Prokurori ka presion prej BDI-së, nuk ka dilemë këtu. Ky proces tashmë po zvarritet qe dy vjet. Kemi të bëjmë me një rast, për të cilin ekzistojnë videoinçizime, ku shihen si vrasësit e kryejnë veprën dhe dalin gjakftohtë nga lokali. Pastaj, pas dy- tre orëve japin deklaratë për Alsat-M shumë të qetë. Parashtrohet pyetja si nuk e kanë ditur se çfarë po bëjnë?! Ka qenë shumë mirë e organizuar e porositur dhe e realizuar. Vetëm Prokuroria speciale mund ta ndaj drejtësinë. I njëjti prokuror pas një viti nga ngjaja jep propozim për lirim në paraburgim shtëpiak. Askund në botë nuk mund të ketë kësi lloj vendimi. Me këtë veprim kanë bërë presedan të madh. Kush garanton se nuk mund ta përsërisin aktin ndaj familjes tonë dhe dëshmitarëve, pasi të lirohen? Gjatë rastit ka pasur edhe të plagosur. Edhe ato janë tentim për vrasje. Ndërkaq, tani i njëjti prokurorë nuk mund ta jep fjalën përfundimtare. Pse? Pse shtyhet seanca? Aktakuza është shumë e qartë, Neni 123, vrasje më paramendim që duhet të ketë dënim nga 20 deri në burg të përjetshëm. Prokurori ka presion që ta parakualifikojë lëndën me Nenin 125, kinse vrasja ka qenë vrasje çasti. Nëse parakualifikohen lënda edhe vet gjykatësja pastaj nuk mund ta gjykon drejt rastin”, tha për Lajm, vëllai i Komandant Shqiponjës,

Ai pohoi se ka bërë ankesa në Këshillin e Prokurorëve në Shkup dhe gjithë institucionet tjera që lënda të mos lihet në duart e prokurorit Isa Sulejmani.

“Unë vitin e kaluar kam bërë ankesa në gjitha këto institucione përkatëse deri të ambasadori amerikan Xhes Bejli. I kam të gjitha dokumentet”, theksoi për Lajm Rexhepi.

“Në fund ne do t’i padisim të gjithë ata që kanë bërë lëshime në njëfarë mënyre nga trysnia politike. Do të përgjigjen penalisht. Tani e dimë se gjykatat janë të kapura nga partitë. Megjithatë një ditë do të drejtohet ky shtet, e këta s’do të mund t’i ikin drejtësisë”, përfundoi Rexhepi.

Vrasja e komandant Shqiponjës dy vite më parë ndodhi pas një zënke për marrjen e drejtimit të degës së BDI në Kumanovë. Seanca e radhës është caktuar për 3 nëntor.

Në rastin e vrasjes së Komandant Shqiponjës, akuzohen dy persona Bajram Limani dhe Amir Latifi.

Seanca e radhës është caktuar më 26 prill, ora 12:30.